Shkrimet e Klementit.
Libri VI, Kreu XIII
1. Të tetë librat e «Stromateve» të Klementit ruhen të gjithë te ne. Ai vetë u ka vënë këtë titull: «Stromatet e shënimeve gnostike mbi filozofinë e vërtetë, të Tit Flav Klementit».
2. Po aq janë edhe librat me titullin «Hipotipozat». Në to e përmend me emër Pantenin si mësuesin e vet dhe jep mendimet dhe traditat e tij.1
3. Përveç këtyre, janë edhe «Fjalimi nxitës drejtuar grekëve»; tre libra të një vepre me titullin «Instruktori»; një tjetër me titullin «Cili i pasur shpëton?»; vepra «Mbi Pashkën»; trajtesat «Mbi agjërimin» dhe «Mbi përfoljen»; «Fjalim nxitës mbi durimin, ose Drejtuar të sapopagëzuarve»; dhe ajo që mban titullin «Kanoni kishtar, ose Kundër judaizuesve», të cilën ia kushtoi Aleksandrit, peshkopit të përmendur më lart.
4. Te «Stromatet» ai jo vetëm e ka trajtuar gjerësisht Shkrimin Hyjnor, por citon edhe nga shkrimtarët grekë, sa herë që diçka e thënë prej tyre i duket e dobishme.
5. Sqaron mendimet e shumë vetave, grekë e barbarë. Përgënjeshtron edhe mësimet e rreme të hereziarkëve dhe, përveç kësaj, shqyrton një pjesë të madhe të historisë, duke na dhënë shembuj të një diturie shumë të larmishme. Bashkë me të gjitha të tjerat, përzien edhe pikëpamjet e filozofëve. Ka të ngjarë që për këtë arsye t'i ketë vënë veprës së tij titullin e përshtatshëm «Stromatet».
6. Në këto vepra përdor edhe dëshmi nga Shkrimet e kundërshtuara: nga e ashtuquajtura «Urtësi e Solomonit» dhe ajo e Isuut, të birit të Sirakut, nga «Letra drejtuar Hebrenjve» dhe nga letrat e Varnavës, të Klementit e të Judës.2345
7. Përmend edhe «Fjalimin drejtuar grekëve» të Tatianit dhe flet për Kasianin si autor të një vepre kronologjike. Zë në gojë edhe autorët judenj Filonin, Aristobulin, Josif Flavin, Dhimitrin dhe Eupolemin, të cilët të gjithë tregojnë në veprat e tyre se Moisiu dhe kombi i judenjve kanë ekzistuar para zanafillës më të hershme të grekëve.678
8. Këta libra janë plot edhe me shumë dituri të tjera. Në të parin prej tyre autori thotë për veten se vjen fill pas pasardhësve të apostujve.
9. Në to premton edhe se do të shkruajë një koment mbi «Zanafillën». Në librin e tij «Mbi Pashkën» pohon se miqtë e kishin nxitur t'i hidhte në shkrim, për brezat e ardhshëm, traditat që i kishte dëgjuar nga presbiterët e lashtë. Në të njëjtën vepër përmend Melitonin, Irineun dhe disa të tjerë, dhe jep pjesë nga shkrimet e tyre.
Shënime
1. Për Pantenin, shih më lart, Librin V, kreu 10.
2. Për «Letrën drejtuar Hebrenjve», shih Librin III, kreu 3.
3. Për letrën e Varnavës, shih Librin III, kreu 25.
4. Për letrën e Klementit, shih Librin III, kreu 16.
5. Për letrën e Judës, shih Librin II, kreu 23.
6. Për Tatianin dhe veprat e tij, shih Librin IV, kreu 29.
7. Për Filonin dhe veprat e tij, shih Librin II, krerët 4, 5, 17 dhe 18.
8. Për Josif Flavin dhe veprat e tij, shih Librin III, kreu 9.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it