Serapioni dhe veprat e tij që ruhen.
Libri VI, Kreu XII
1. Ka të ngjarë që të tjerë të kenë ruajtur edhe dëshmi të tjera të zellit letrar të Serapionit, por te ne kanë arritur vetëm këto: shkrimet drejtuar njëfarë Domnini, i cili në kohën e përndjekjes ra nga besimi në Krishtin dhe kaloi në adhurimin e vetëzgjedhur të judenjve; ato drejtuar Poncit dhe Karikut, burra kishtarë; letra të tjera drejtuar njerëzve të ndryshëm; dhe një vepër tjetër, që e hartoi mbi të ashtuquajturin «Ungjill të Pjetrit».12
2. Këtë të fundit e shkroi për të përgënjeshtruar të pavërtetat që përmbante ai Ungjill, për shkak të disave në enorinë e Rososit, të cilët ky libër i kishte nxjerrë nga udha dhe i kishte shpënë në mendime heterodhokse. Është mirë të japim disa pjesë të shkurtra nga vepra e tij, që tregojnë ç'mendim kishte për atë libër. Ai shkruan kështu:3
3. «Sepse ne, vëllezër, i pranojmë edhe Pjetrin, edhe apostujt e tjerë si Krishtin, por shkrimet që u vishen pa të drejtë atyre i hedhim poshtë me gjykim, ngaqë e dimë se të tilla nuk na janë përcjellë.
4. Kur erdha te ju, pandeha se të gjithë mbanit besimin e vërtetë. Dhe meqë nuk e kisha lexuar Ungjillin që ata e nxjerrin me emrin e Pjetrit, thashë: Nëse kjo është e vetmja gjë që shkakton mosmarrëveshje ndër ju, le të lexohet. Por tani, pasi mësova nga sa më është thënë se mendja e tyre ishte ngatërruar në njëfarë herezie, do të nxitoj të vij sërish te ju. Prandaj, vëllezër, më prisni së shpejti.
5. Por ju, vëllezër, do të mësoni nga sa ju është shkruar se ne e kuptuam ç'lloj herezie ishte ajo e Markianit dhe se ai, ngaqë nuk kuptonte ç'thoshte, e kundërshtonte vetveten.
6. Sepse këtë Ungjill e morëm nga të tjerë që e kishin studiuar me zell, domethënë nga pasardhësit e atyre që e përdorën të parët, të cilët i quajmë doketë (sepse shumica e mendimeve të tyre lidhen me mësimin e asaj shkolle). Kështu mundëm ta lexonim nga fillimi në fund, dhe gjejmë shumë gjëra në pajtim me mësimin e vërtetë të Shpëtimtarit, por edhe disa gjëra të shtuara mbi atë mësim, të cilat jua kemi shënuar më poshtë.» Kaq për Serapionin.
Shënime
1. Për Serapionin, shih Librin V, kreu 19.
2. Për të ashtuquajturin «Ungjill të Pjetrit», shih Librin III, kreu 3.
3. Rososi (Rhossus, ose Rhosus) ishte një qytet i Sirisë, buzë gjirit të Isit, pak në veriperëndim të Antiokisë.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it