Aleksandri.
Libri VI, Kreu XI
1. Por meqë Narkisi, për shkak të pleqërisë së thellë, nuk ishte më në gjendje t'i kryente detyrat e shërbesës së tij, Providenca e Perëndisë thirri në këtë shërbesë, bashkë me të, Aleksandrin e përmendur më lart, i cili atëherë ishte peshkop i një enorie tjetër. E thirri me një zbulesë që iu dha në një vegim nate.
2. Atëherë, si me udhëzim hyjnor, ai la vendin e Kapadokisë, ku e kishte mbajtur së pari peshkopatën, dhe udhëtoi deri në Jerusalem, për shkak të një zotimi dhe që të njihte vendet e atij qyteti. Atje e pritën me shumë përzemërsi dhe nuk e lanë të kthehej, për shkak të një zbulese tjetër, që e panë natën dhe që u solli më të zellshmëve ndër ta një kumt fare të qartë. Ajo u bëri të ditur se, po të dilnin jashtë portave, do ta prisnin peshkopin që Perëndia e kishte paracaktuar për ta. Kështu bënë dhe, me pëlqimin e njëzëshëm të peshkopëve të kishave fqinje, e detyruan të qëndronte.
3. Vetë Aleksandri, në letra private drejtuar antinoitëve, që ruhen ende te ne, e përmend peshkopatën që mbante bashkë me Narkisin. Në fund të letrës shkruan me këto fjalë:
4. «Ju përshëndet Narkisi, që e mbajti peshkopatën këtu para meje dhe tani, në moshën njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjeç, është i bashkuar me mua në lutje. Ai ju nxit, ashtu si edhe unë, të jeni të një mendjeje.»
Kështu ndodhën këto gjëra. Ndërkaq, kur vdiq Serapioni, peshkopatën e kishës së Antiokisë e trashëgoi Asklepiadi, që edhe vetë ishte shquar ndër rrëfimtarët gjatë përndjekjes. Emërimin e tij e zë në gojë Aleksandri, kur i shkruan kështu kishës së Antiokisë:1
5. «Aleksandri, shërbëtor dhe i burgosur i Jisu Krishtit, kishës së lumur të Antiokisë, përshëndetje në Zotin. Zoti m'i bëri prangat të lehta e të durueshme gjatë kohës së burgimit tim, qëkur mësova se, me anë të Providencës hyjnore, peshkopatën e kishës suaj të shenjtë të Antiokisë e ka marrë përsipër Asklepiadi, njeri fort i përshtatshëm për sa i përket besimit të vërtetë.»
6. Ai tregon se këtë letër e dërgoi me anë të Klementit, kur aty nga fundi i saj shkruan kështu:2
«Vëllezërit e mi të nderuar, këtë letër jua dërgova me anë të presbiterit të lumur Klement, njeri i virtytshëm dhe i provuar, të cilin e njihni edhe ju vetë dhe do ta njihni sërish. Gjatë kohës që ishte këtu, me providencën dhe mbikëqyrjen e Zotërisë, ai e forcoi dhe e rriti Kishën e Zotit.»
Shënime
1. Për Serapionin, shih Librin V, kreu 19.
2. Për Klementin e Aleksandrisë, shih më lart, Librin V, kreu 11.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it