Zelli i Origjenit në studimin e Shkrimeve Hyjnore.
Libri VI, Kreu XVI
1. Origjeni i hulumtonte fjalët hyjnore me aq zell e ngulm, saqë mësoi gjuhën hebraike dhe i bëri pronë të vet Shkrimet origjinale hebraike që ishin në duart e judenjve. Hulumtoi edhe veprat e përkthyesve të tjerë të Shkrimeve të Shenjta, përveç të Shtatëdhjetëve. Dhe, krahas përkthimeve të njohura të Akuilës, të Simakut dhe të Teodotionit, zbuloi edhe disa të tjera, që kishin qenë të fshehura qysh nga kohë të lashta (nuk e di në ç'skuta të humbura), dhe me kërkimet e tij i nxori në dritë.1
2. Meqë nuk ua dinte autorët, shënoi vetëm se njërin e kishte gjetur në Nikopolin pranë Akciumit, kurse tjetrin në një vend tjetër.2
3. Në Heksaplën e «Psalmeve», pas katër përkthimeve të shquara, shton jo vetëm një të pestë, por edhe një të gjashtë e një të shtatë. Për njërin prej tyre thotë se e gjeti në një qyp në Jeriko, në kohën e Antoninit, të birit të Severit.3
4. Pasi i mblodhi të gjitha këto, i ndau në pjesë dhe i vuri përballë njëra-tjetrës, bashkë me vetë tekstin hebraik. Kështu na la kopjet e së ashtuquajturës Heksaplë. Përgatiti edhe veçmas, te Tetrapla, një botim të Akuilës, të Simakut dhe të Teodotionit bashkë me Septuagintën.
Shënime
1. Për Septuagintën, shih Librin V, kreu 8.
2. Nikopoli pranë Akciumit, i quajtur kështu për t'u dalluar nga disa qytete të tjera me të njëjtin emër, ishte një qytet i Epirit, në bregun verior të gjirit të Ambrakisë, përballë kepit të Akciumit.
3. Valesius vëren se këtu ka një mospërputhje dhe se duhej thënë «jo vetëm një të pestë e një të gjashtë, por edhe një të shtatë». Megjithatë, të gjitha dorëshkrimet dhe versionet e mbështetin leximin e tekstit; prandaj duhet të pranojmë se mospërputhja (nëse ka të tillë, gjë që është e dyshimtë) është e vetë Eusebit, jo e ndonjë kopjuesi.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it