Edukimi i Origjenit që nga fëmijëria.
Libri VI, Kreu II
1. Shumë gjëra mund të thuheshin, po të përpiqej dikush ta përshkruante jetën e këtij njeriu në kohën kur ishte në shkollë; por vetë kjo temë do të kërkonte një traktat të veçantë. Megjithatë, tani për tani, duke e shkurtuar pjesën më të madhe, do të parashtrojmë, sa më shkurt që të jetë e mundur, pak fakte për të, të mbledhura nga disa letra dhe nga dëshmia e njerëzve që janë ende gjallë dhe që e kanë njohur.
2. Ato që tregojnë për Origjenin më duken të denja për t'u përmendur, madje, si të thuash, që nga pelenat e tij.
Ishte viti i dhjetë i mbretërimit të Severit; Leti ishte qeveritar i Aleksandrisë dhe i pjesës tjetër të Egjiptit, kurse Dhimitri e kishte marrë së fundi peshkopatën e enorive të atjeshme, si pasardhës i Julianit.12
3. Meqë flaka e përndjekjes ishte ndezur fort dhe shumë e shumë veta kishin fituar kurorën e martirizimit, Origjenit, ndonëse ishte ende djalë, ia pushtoi shpirtin një dëshirë aq e madhe për martirizim, saqë ai iu afrua rrezikut: në vrullin e tij hidhej përpara dhe vërsulej drejt ndeshjes.3
4. Dhe me të vërtetë fundi i jetës së tij do të kishte qenë fare pranë, po të mos ia kishte penguar dëshirën Providenca hyjnore dhe qiellore, për të mirën e shumë njerëzve, me anë të së ëmës.
5. Sepse në fillim ajo iu lut e iu përgjërua të kishte mëshirë për ndjenjat që ajo, si nënë, kishte për të. Por kur pa se ai, me të marrë vesh që i ati ishte kapur dhe burgosur, ishte bërë edhe më i vendosur dhe e kishte rrëmbyer krejt zelli për martirizim, ia fshehu të gjitha rrobat dhe kështu e detyroi të rrinte në shtëpi.
6. Por, meqë nuk kishte ç'të bënte tjetër dhe zelli i tij, që ia kalonte moshës, nuk e linte të rrinte i qetë, i dërgoi të atit një letër zemërdhënëse mbi martirizimin, në të cilën e nxiste me këto fjalë: «Ki kujdes të mos ndërrosh mendje për shkakun tonë.» Kjo mund të shënohet si prova e parë e urtësisë rinore të Origjenit dhe e dashurisë së tij të mirëfilltë për perëndishmërinë.4
7. Sepse që atëherë kishte grumbulluar një pasuri jo të vogël në fjalët e besimit, meqë ishte ushtruar që në fëmijëri në Shkrimet Hyjnore. Dhe nuk i kishte studiuar me mospërfillje, sepse i ati, përveç që i kishte dhënë arsimin e zakonshëm në artet e lira, Shkrimet nuk i kishte lënë si gjë të dorës së dytë.
8. Së pari, përpara se ta fuste në shkencat greke, e stërviti në studimet e shenjta dhe kërkonte prej tij që çdo ditë të mësonte e të recitonte.
9. Dhe kjo nuk i vinte rëndë djalit; përkundrazi, në këto studime ishte i etur dhe i zellshëm. Nuk i mjaftonte të mësonte atë që ishte e thjeshtë dhe e dukshme në fjalët e shenjta, por kërkonte diçka më tepër dhe që në atë moshë merrej me hulumtime më të thella, aq sa e vinte të atin në vështirësi me pyetjet për kuptimin e vërtetë të Shkrimeve të frymëzuara.
10. Dhe i ati, sa për dukje, e qortonte në sy dhe i thoshte të mos kërkonte përtej moshës së vet, as më tej se kuptimi i qartë. Por me vete gëzohej shumë dhe e falënderonte Perëndinë, autorin e çdo të mire, që e kishte quajtur të denjë të ishte ati i një fëmije të tillë.
11. Dhe thonë se shpesh, kur qëndronte pranë djalit që flinte, ia zbulonte kraharorin, sikur Shpirti hyjnor të ishte vendosur brenda tij si në një faltore, dhe ia puthte me nderim, duke e quajtur veten të lumur për fëmijën e tij të mbarë. Këto dhe të tjera të ngjashme tregohen për Origjenin kur ishte djalë.
12. Por kur i ati e mbylli jetën me martirizim, ai mbeti me të ëmën dhe me gjashtë vëllezër më të vegjël, pa i mbushur ende plot shtatëmbëdhjetë vjet.
13. Meqë pasuria e të atit u konfiskua për thesarin mbretëror, ai dhe familja e tij mbetën pa gjërat e nevojshme për të jetuar. Por u quajt i denjë për përkujdesjen hyjnore. Gjeti mikpritje dhe prehje te një grua shumë e pasur, e shquar për mënyrën e jetesës dhe për gjëra të tjera. Ajo nderonte shumë një heretik të dëgjuar, që ndodhej atëherë në Aleksandri, por që kishte lindur në Antioki. Ai rrinte tek ajo si bir i birësuar, dhe ajo sillej me të me mirësinë më të madhe.5
14. Por, ndonëse Origjeni ishte i shtrënguar të shoqërohej me të, megjithatë që nga kjo kohë dha prova të forta të orthodhoksisë së tij në besim. Sepse, kur te Pavli (se kështu quhej ai njeri) vinte një turmë e madhe, jo vetëm heretikësh, por edhe nga tanët, për shkak të zotësisë që dukej se kishte në arsyetim, Origjeni nuk u bind dot kurrë të bashkohej me të në lutje. Se, ndonëse djalë, e ruante rregullën e Kishës dhe, siç shprehet ai vetë diku, i neveriste mësimet heretike. Meqë i ati ia kishte mësuar shkencat e grekëve, pas vdekjes së tij iu kushtua më me zell e më plotësisht studimit të letërsisë. Kështu mori një përgatitje mjaft të madhe në filologji dhe, jo shumë kohë pas vdekjes së të atit, duke iu kushtuar kësaj lënde, mundi të siguronte një shpërblim më se të mjaftueshëm për nevojat e tij në atë moshë.67
Shënime
1. Për datat e peshkopatës së Dhimitrit, shih Librin V, kreu 22.
2. Për Julianin, shih Librin V, kreu 9.
3. Për përndjekjen, shih në veçanti kreun 1.
4. Kjo letër, që me sa duket ruhej në kohën e Eusebit dhe që mund të ketë qenë pjesë e përmbledhjes së bërë prej tij (shih kreun 36), sot ka humbur, dhe prej saj kemi vetëm këtë fjali.
5. Për këtë heretik nga Antiokia, Pavlin, dimë vetëm atë që na thotë Eusebi këtu. Mbrojtësja e tij duket se ishte e krishterë dhe me emër të mirë në kishën e Aleksandrisë, përndryshe Origjeni vështirë se do të kishte banuar tek ajo.
6. Redepenning i referohet Origjenit, «Seria e komenteve mbi Mateun» §89, ku thuhet: «melius est cum nullo orare, quam cum malis orare».
7. Redepenning u referohet vërejtjeve të Origjenit mbi natyrën e herezisë dhe mbi shkatërrimin që ajo sjell, të mbledhura nga Pamfili (fragmentet e «Apologjisë» së Pamfilit).
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it