Ende shumë i ri, ai jepte me zell mësimin e fjalës së Krishtit.
Libri VI, Kreu III
1. Por ndërsa ai ligjëronte në shkollë, siç na tregon vetë, dhe në Aleksandri nuk kishte askush që të jepte mësim në besim, sepse kërcënimi i përndjekjes i kishte përzënë të gjithë, disa nga paganët erdhën tek ai për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.
2. I pari prej tyre, thotë ai, ishte Plutarku, i cili, pasi jetoi si duhet, u nderua me martirizim hyjnor. I dyti ishte Herakla, vëlla i Plutarkut; ky, pasi dha edhe ai bashkë me të prova të bollshme të një jete filozofike dhe asketike, u quajt i denjë ta pasonte Dhimitrin në peshkopatën e Aleksandrisë.1
3. Ai ishte në vitin e tetëmbëdhjetë të moshës kur mori drejtimin e shkollës kateketike. Edhe në këtë kohë u shqua, gjatë përndjekjes nën Akuilën, qeveritarin e Aleksandrisë: atëherë emri i tij u bë i dëgjuar ndër prijësit në besim, për shkak të mirësisë dhe dashamirësisë që tregonte ndaj të gjithë dëshmorëve të shenjtë, qofshin të njohur të tij, qofshin të huaj.
4. Sepse jo vetëm rrinte me ta sa ishin në pranga dhe deri në dënimin e tyre të fundit, por edhe kur i çonin dëshmorët e shenjtë drejt vdekjes, tregonte guxim të madh dhe hynte bashkë me ta në rrezik. Kështu, meqë vepronte me trimëri dhe, me guxim të madh, i përshëndeste dëshmorët me një puthje, shpesh turma pagane që i rrethonte tërbohej dhe ishte gati t'i vërsulej.
5. Por, falë dorës ndihmëtare të Perëndisë, shpëtoi krejtësisht dhe në mënyrë të mrekullueshme. Dhe po kjo fuqi hyjnore e qiellore, për shkak të zellit të tij të madh dhe të guximit për fjalët e Krishtit, e ruajti përsëri e përsëri, është e pamundur të thuhet sa herë, kur vihej kështu në rrezik. Aq e madhe ishte armiqësia e jobesimtarëve ndaj tij, për shkak të morisë së njerëzve që ai i mësonte në besimin e shenjtë, saqë vunë grupe ushtarësh rreth shtëpisë ku banonte.2
6. Kështu, përndjekja kundër tij flakëronte dita-ditës, saqë mbarë qyteti nuk e nxinte më; ai shpërngulej nga një shtëpi në tjetrën dhe e përzinin nga të gjitha anët, për shkak të turmës që mblidhej në mësimin hyjnor që jepte ai. Sepse edhe jeta e tij tregonte një sjellje të drejtë e të admirueshme, sipas ushtrimit të filozofisë së mirëfilltë.
7. Sepse thonë se mënyra e tij e jetesës ishte si doktrina, dhe doktrina si jeta. Prandaj, me Fuqinë hyjnore që vepronte bashkë me të, zgjoi te shumë e shumë njerëz zellin që kishte vetë.
8. Por kur pa se tek ai vinin edhe më shumë njerëz për mësim, dhe kur Dhimitri, që kryesonte kishën, ia kishte besuar shkollën kateketike vetëm atij, gjykoi se mësimdhënia e shkencës së gramatikës nuk pajtohej me ushtrimin në lëndët hyjnore. Dhe menjëherë hoqi dorë nga shkolla e tij e gramatikës, si e padobishme dhe si pengesë për dijen e shenjtë.
9. Pastaj, me gjykimin e duhur, për të mos pasur nevojë për ndihmën e të tjerëve, i shiti të gjithë librat me vlerë të letërsisë së lashtë që kishte dhe u mjaftua me katër obole në ditë që merrte nga blerësi. Për shumë vjet jetoi kështu si filozof dhe i largoi prej vetes të gjitha nxitjet e dëshirave rinore. Gjatë gjithë ditës duronte ushtrime jo të pakta, kurse pjesën më të madhe të natës ia kushtonte studimit të Shkrimeve Hyjnore. E përmbante veten sa më shumë që mundej me një jetë fort filozofike: herë me ushtrimin e agjërimit, herë me kohën e matur për gjumë. Dhe, në zellin e tij, nuk shtrihej kurrë në shtrat, por përdhe.3
10. Mbi të gjitha, mendonte se duheshin mbajtur fjalët e Shpëtimtarit në Ungjill, me të cilat ai nxit që njeriu të mos ketë dy petka, të mos përdorë këpucë dhe të mos e zërë veten me shqetësime për të ardhmen.45
11. Me një zell që ia kalonte moshës, vazhdoi të rrinte në të ftohtë e në lakuriqësi; dhe, duke arritur deri në skajin e fundit të varfërisë, i habiti shumë ata që kishte përreth. Madje shumë prej miqve të tij i hidhëroi: këta, për shkak të mundit të lodhshëm që e shihnin të duronte në mësimin e gjërave hyjnore, dëshironin t'i ndanin me të pasuritë e tyre.
12. Por ai nuk e dobësoi qëndresën e vet. Thuhet se për disa vjet eci pa mbathur kurrë këpucë dhe se, për shumë e shumë vjet, u përmbajt nga vera dhe nga gjithçka tjetër përtej ushqimit të nevojshëm, aq sa ishte në rrezik ta rrënonte e ta shkatërronte shëndetin.6
13. Duke u dhënë prova të tilla të një jete filozofike atyre që e shihnin, zgjoi te shumë nga nxënësit e tij një zell të ngjashëm, kështu që tërhoqi në mësimin e tij edhe burra të shquar nga paganët jobesimtarë dhe njerëz që ndiqnin dijen e filozofinë. Disa prej tyre, pasi morën prej tij në thellësi të shpirtit besimin te Fjala hyjnore, u shquan në përndjekjen që mbizotëronte atëherë; dhe disa prej tyre u kapën dhe vdiqën si dëshmorë.
Shënime
1. Për këtë Plutark dimë vetëm atë që na thotë Eusebi këtu dhe në kreun 4, ku thotë se ai ishte i pari ndër nxënësit e Origjenit që vdiq si dëshmor.
2. Nuk mund ta themi si ndodhi që Origjeni i shpëtoi përndjekjes, kur, sipas Eusebit, e vinte veten në rrezik aq vazhdimisht dhe urrehej aq shumë nga turma pagane. Eusebi, këtu dhe në kreun 4, e shpjegon këtë vetëm me hirin e Perëndisë.
3. Oboli ishte një monedhë e vogël greke, me vlerë rreth tre centë e gjysmë amerikanë të vitit 1890. Katër obole në ditë mund të mjaftonin, edhe në atë kohë, vetëm për nevojat më të domosdoshme të jetës. Por, me prirjet e tij asketike, Origjeni nuk dëshironte më shumë se kaq.
4. Shih Mateu 10:10.
5. Shih Mateu 6:34.
6. Greqisht: θώραξ, në kuptimin e mirëfilltë «kraharor». Rufini dhe Christophorsonus e përkthejnë stomachum, dhe Valesius e miraton; por, me sa kam mundur të vërtetoj, një përdorim i tillë i fjalës θώραξ nuk ka asnjë mbështetje. Fjala e saktë greke për stomakun është στόμαχος, që e përdorin rregullisht Galeni dhe shkrimtarët e tjerë të mjekësisë.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it