Herezia çoroditëse e manikeasve, që nisi në këtë kohë.
Libri VII, Kreu XXXI
1. Në këtë kohë i çmenduri, që e mori emrin nga herezia e tij demoniake, u armatos me çoroditjen e arsyes së vet, kur djalli, Satanai, që lufton vetë kundër Perëndisë, e nxori përpara për shkatërrimin e shumë njerëzve. Ishte barbar në jetën e tij, në fjalë e në vepër, dhe nga natyra demoniak e i marrë. Për këtë arsye u përpoq të hiqej si Krisht dhe, i fryrë nga çmenduria e vet, e shpalli veten Ngushëlluesin dhe vetë Shpirtin e Shenjtë. Më pas, ashtu si Krishti, zgjodhi dymbëdhjetë nxënës si pjesëtarë të doktrinës së tij të re.1
2. Arnoi copë më copë doktrina të rreme e të pafe, të mbledhura nga një mori paperëndishmërish të shuara prej kohësh, dhe i derdhi, si një helm vdekjeprurës, nga Persia në pjesën tonë të botës. Prej tij, emri i paperëndishëm i manikeasve është ende i përhapur ndër shumë veta. I tillë ishte themeli i kësaj «diturie me emër të rremë», që mbiu në ato kohë.2
Shënime
1. Beausobre mban mendimin se Mani nuk pretendonte të ishte Ngushëlluesi, por thjesht një njeri, lajmëtari i Ngushëlluesit. Megjithatë, Etërit në përgjithësi pajtohen me Eusebin, kur pohojnë se pretendimet e tij ishin nga më të lartat. Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në mënyrë të kënaqshme.
2. Shih 1 Timoteut 6:20.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it