Burrat kishtarë të shquar të ditëve tona dhe cilët prej tyre jetuan deri në shkatërrimin e kishave.
Libri VII, Kreu XXXII
1. Në këtë kohë Feliksin, që e kishte kryesuar kishën e Romës pesë vjet, e pasoi Eutikiani; por ky, në më pak se dhjetë muaj, ia la vendin Gait, që jetoi në ditët tona. Gai e mbajti rreth pesëmbëdhjetë vjet, dhe atë e pasoi me radhë Marcelini, të cilin e zuri përndjekja.1
2. Rreth së njëjtës kohë Timeu mori peshkopatën e Antiokisë pas Domnit, dhe atë e pasoi Kirili, që jetoi në ditët tona. Në kohën e tij njohëm Dorotheun, një burrë të ditur ndër bashkëkohësit e vet, që u nderua me detyrën e presbiterit në Antioki. Ishte dashamir i së bukurës në gjërat hyjnore dhe iu përkushtua gjuhës hebraike, aq sa i lexonte me lehtësi Shkrimet hebraike.23
3. Ishte ndër njerëzit me kulturë veçanërisht të gjerë dhe nuk i kishte të panjohura studimet përgatitore të grekëve. Veç kësaj ishte eunuk, dhe i tillë kishte qenë që nga vetë lindja. Për këtë arsye perandori, sikur të ishte ndonjë mrekulli, e mori në shtëpinë e vet dhe e nderoi duke e vënë në krye të punishteve të ngjyrosjes me purpur në Tir. E kemi dëgjuar tek i shpjegonte me urtësi Shkrimet në Kishë.4
4. Pas Kirilit, peshkopatën e enorisë së Antiokisë e mori Tirani. Në kohën e tij ndodhi shkatërrimi i kishave.
5. Eusebi, që kishte ardhur nga qyteti i Aleksandrisë, i qeverisi enoritë e Laodikesë pas Sokratit. Shkak i shpërnguljes së tij atje u bë çështja e Pavlit. Për këtë punë shkoi në Siri, dhe ata që atje ishin të zellshëm për gjërat hyjnore e penguan të kthehej në shtëpi. Ndër bashkëkohësit tanë ishte një shembull i bukur i fesë, siç shihet lehtë nga fjalët e Dionisit që kemi cituar.56
6. Pasardhës i tij u caktua Anatoli: një i mirë, siç thonë, pas një të miri. Edhe ai ishte aleksandrin nga lindja. Për dituri e mjeshtëri në filozofinë greke, si në aritmetikë e gjeometri, në astronomi dhe në dialektikë në përgjithësi, por edhe në teorinë e fizikës, ishte i pari ndër burrat më të aftë të kohës sonë, dhe ishte në krye edhe në shkencën e retorikës. Tregohet se për këtë arsye qytetarët e Aleksandrisë i kërkuan të themelonte atje një shkollë të filozofisë aristoteliane.
7. Tregojnë për të edhe shumë vepra të tjera të shquara gjatë rrethimit të Pirukeionit në Aleksandri, për të cilat e nderuan në mënyrë të veçantë të gjithë ata që mbanin detyra të larta. Por unë do të sjell si shembull vetëm këtë që vijon.
8. Thonë se të rrethuarve u ishte sosur buka, aq sa e kishin më të vështirë t'i bënin ballë zisë së bukës sesa armikut jashtë; por ai, që ndodhej aty, u kujdes për ta në këtë mënyrë. Meqë pjesa tjetër e qytetit ishte aleate e ushtrisë romake dhe prandaj nuk ishte nën rrethim, Anatoli dërgoi ta thërrisnin Eusebin. Sepse ky ishte ende atje, para se të shpërngulej në Siri: gjendej ndër ata që nuk ishin të rrethuar dhe, për më tepër, kishte nam të madh e një emër të dëgjuar, që kishte arritur deri te gjenerali romak. Dhe Anatoli e njoftoi për ata që po vdisnin nga uria në rrethim.
9. Kur e mësoi këtë, Eusebi i kërkoi komandantit romak, si nderin më të madh që mund t'i bënte, t'u jepte siguri atyre që dezertonin nga armiku. Pasi iu plotësua kërkesa, ia bëri të ditur Anatolit. Ky, sapo e mori lajmin, mblodhi senatin e Aleksandrisë dhe në fillim propozoi që të gjithë të pajtoheshin me romakët. Mirëpo, kur vuri re se kjo këshillë i zemëroi, tha: «Por nuk besoj se do të më kundërshtoni, nëse ju këshilloj t'i nxirrni jashtë portave ata që janë të tepërt dhe ata që nuk na hyjnë aspak në punë, si plakat, fëmijët dhe pleqtë, që të shkojnë ku të duan. Se përse t'i mbajmë kot këta që sidoqoftë do të vdesin së shpejti? Dhe përse t'i mbarojmë nga uria ata që janë të gjymtuar e të sakatuar në trup, kur duhet të kujdesemi vetëm për burrat e të rinjtë dhe t'ua ndajmë bukën e nevojshme atyre që duhen për garnizonin e qytetit?»
10. Me arsyetime të tilla e bindi kuvendin. U ngrit i pari dhe dha votën që gjithë turma e atyre, burra a gra, që nuk i nevojiteshin ushtrisë, të largohej nga qyteti; sepse, po të mbeteshin e të rrinin pa nevojë në qytet, nuk do të kishin asnjë shpresë shpëtimi, por do të vdisnin nga uria.
11. Meqë të gjithë të tjerët në senat u pajtuan me këtë, ai i shpëtoi pothuajse të gjithë të rrethuarit. U kujdes që të shpëtonin së pari ata që i përkisnin kishës e pastaj, nga të tjerët në qytet, njerëz të çdo moshe: jo vetëm ata që i përfshinte dekreti, por, nën hijen e tyre, edhe një mori të tjerësh, të veshur fshehurazi me rroba grash. Nën drejtimin e tij, ata dolën natën nga portat dhe ikën në kampin romak. Atje Eusebi i priti të gjithë si atë e si mjek, të tretur siç ishin nga rrethimi i gjatë, dhe i mëkëmbi me gjithfarë maturie e kujdesi.
12. Kisha e Laodikesë u nderua me dy barinj të tillë njëri pas tjetrit, të cilët, me providencën e Perëndisë, erdhën në atë qytet nga Aleksandria pas luftës që u përmend më sipër.
13. Anatoli nuk shkroi fort shumë vepra; por në ato që kanë arritur deri te ne mund t'i dallojmë gojëtarinë dhe erudicionin. Në to parashtron veçanërisht mendimet e tij për Pashkën. Më duket me rëndësi të sjell këtu pjesët që vijojnë prej tyre.
14. Nga «Kanonet e Pashkës» të Anatolit. «Në vitin e parë, pra, hëna e re e muajit të parë, që është fillimi i çdo cikli prej nëntëmbëdhjetë vjetësh, bie në ditën e njëzet e gjashtë të muajit egjiptian famenoth. Kurse sipas muajve të maqedonasve, kjo është dita e njëzet e dytë e muajit distros ose, siç do të thoshin romakët, dita e njëmbëdhjetë para kalendave të prillit.789
15. Në ditën e përmendur, më njëzet e gjashtë të muajit famenoth, del se dielli jo vetëm ka hyrë në segmentin e parë, por tashmë po kalon ditën e katërt në të. Këtë segment e quajnë zakonisht dodekatemorioni i parë, ekuinoksi, fillimi i muajve, kreu i ciklit dhe pikënisja e qarkullimit të planetëve. Kurse atë që vjen para tij e quajnë muaji i fundit, segmenti i dymbëdhjetë, dodekatemorioni i fundit dhe fundi i qarkullimit të planetëve. Prandaj ne pohojmë se ata që e vënë muajin e parë në këtë segment të dymbëdhjetë dhe sipas tij e caktojnë ditën e katërmbëdhjetë të Pashkës, bëjnë një gabim jo të vogël e jo të zakonshëm.10
16. Dhe ky nuk është mendim yni: e dinin judenjtë e lashtë, madje para Krishtit, dhe e mbanin me kujdes. Këtë mund ta mësojmë nga ato që thonë Filoni, Josif Flavi dhe Museu; dhe jo vetëm ata, por edhe të tjerë, ende më të lashtë: dy Agathobulët, të mbiquajtur ‹Mësuesit›, dhe Aristobuli i famshëm. Aristobulin e zgjodhën Ptolemeu Filadelf dhe i ati ndër të shtatëdhjetë përkthyesit e Shkrimeve hebraike, të shenjta e hyjnore, dhe ai ua kushtoi po këtyre mbretërve edhe librat e tij shpjegues mbi ligjin e Moisiut.11
17. Këta shkrimtarë, kur shpjegojnë çështje që lidhen me ‹Eksodin›, thonë se të gjithë njësoj duhet t'i flijojnë flijimet e Pashkës pas ekuinoksit të pranverës, në mes të muajit të parë. E kjo ndodh kur dielli po kalon nëpër segmentin e parë të rrethit diellor ose, siç e kanë quajtur disa prej tyre, të rrethit të zodiakut. Aristobuli shton se për festën e Pashkës është e nevojshme që nëpër segmentin e ekuinoksit të kalojë jo vetëm dielli, por edhe hëna.
18. Sepse segmentet e ekuinoksit janë dy, ai i pranverës dhe ai i vjeshtës, drejt përballë njëri-tjetrit; dhe dita e Pashkës u caktua në ditën e katërmbëdhjetë të muajit, duke filluar nga mbrëmja. Prandaj hëna do të zërë një vend diametralisht përballë diellit, siç mund të shihet në hënat e plota: dielli do të jetë në segmentin e ekuinoksit të pranverës dhe hëna, domosdo, në atë të ekuinoksit të vjeshtës.
19. E di se ata kanë thënë edhe shumë gjëra të tjera, disa të besueshme e disa që i afrohen vërtetimit të plotë, me të cilat përpiqen të provojnë se është krejt e nevojshme që Pashka dhe festa e bukëve të ndorme të mbahen pas ekuinoksit. Por unë përmbahem e nuk kërkoj vërtetime të këtij lloji për gjëra nga të cilat është hequr veli i ligjit të Moisiut, kështu që tani, më në fund, me fytyrë të zbuluar sodisim pa pushim, si në pasqyrë, Krishtin dhe mësimet e mundimet e Krishtit. E që te hebrenjtë muaji i parë ishte afër ekuinoksit, këtë e tregojnë edhe mësimet e ‹Librit të Enokut›.»12
20. I njëjti shkrimtar ka lënë edhe «Parimet e aritmetikës», në dhjetë libra, si edhe prova të tjera të përvojës dhe të zotësisë së tij në gjërat hyjnore.13
21. Teotekni, peshkopi i Qesarisë së Palestinës, qe i pari që e dorëzoi peshkop, me synimin që ta bënte pasardhës në enorinë e vet pas vdekjes. Dhe për pak kohë të dy e kryesuan të njëjtën kishë. Por sinodi që u mblodh për të shqyrtuar çështjen e Pavlit e thirri në Antioki; dhe, kur po kalonte nëpër qytetin e Laodikesë, vëllezërit e atjeshëm e mbajtën, meqë Eusebi kishte vdekur.1415
22. Pasi Anatoli ndërroi jetë, peshkopi i fundit i asaj enorie para përndjekjes qe Stefani, të cilin shumë veta e admironin për njohuritë në filozofi dhe në pjesën tjetër të diturisë greke. Por ndaj besimit hyjnor nuk ishte po aq i përkushtuar, siç e nxori në shesh rrjedha e përndjekjes: ajo tregoi se ishte më tepër një i shtirur, frikacak e pa burrëri, sesa filozof i vërtetë.16
23. Por kjo nuk e dëmtoi rëndë kishën, sepse punët e saj i ndreqi Teodoti, të cilin vetë Perëndia, Shpëtimtari i të gjithëve, e bëri menjëherë peshkop të asaj enorie. Me veprat e veta ai e përligji edhe emrin e tij zotëror, edhe detyrën e peshkopit. Sepse shquhej në artin e mjekësisë për trupat dhe në artin e shërimit për shpirtrat. Asnjë njeri tjetër nuk barazohej me të në mirësi, në çiltërsi, në dhembshuri dhe në zellin për t'i përkrahur ata që kishin nevojë për ndihmën e tij. Ishte edhe fort i përkushtuar ndaj diturisë hyjnore. I tillë ishte ky njeri.
24. Në Qesari të Palestinës, Teoteknin, që i kishte kryer me zellin më të madh detyrat e peshkopatës së vet, e pasoi Agapi. Edhe për Agapin e dimë se punoi me zell dhe se në mbikëqyrjen e popullit tregoi përkujdesjen më të mirëfilltë; veçanërisht kujdesej, me dorë të hapur, për të gjithë të varfrit.
25. Në kohën e tij njohëm Pamfilin, atë burrë fort gojëtar, me jetë vërtet filozofike, që u quajt i denjë për detyrën e presbiterit në atë enori. Nuk do të ishte punë e vogël të tregonim ç'njeri ishte dhe nga vinte. Megjithatë, në veprën tonë të posaçme për të, kemi përshkruar të gjitha hollësitë e jetës së tij, të shkollës që themeloi, të sprovave që duroi në shumë rrëfime gjatë përndjekjes dhe të kurorës së martirizimit me të cilën u nderua në fund. Por nga të gjithë sa ishin atje, ai ishte vërtet më i admirueshmi.17
26. Ndër ata që janë më afër kohës sonë, kemi njohur Pierin, një nga presbiterët në Aleksandri, dhe Meletin, peshkopin e kishave në Pont: burra nga më të rrallët.
27. I pari shquhej për jetën e tij në varfëri të skajshme dhe për diturinë filozofike; ishte së tepërmi i zellshëm në soditjen dhe shpjegimin e gjërave hyjnore, si edhe në fjalimet publike në kishë. Meleti, të cilin të diturit e quanin «mjalti i Atikës», ishte një burrë që gjithkush do ta përshkruante si më të përkryerin në çdo lloj diturie; dhe mjeshtërinë e tij në retorikë do të ishte e pamundur ta admiroje sa duhet. Mund të thuhet se këtë e kishte nga natyra; por kush do të mund t'ia kalonte në epërsinë e përvojës së madhe dhe të erudicionit që kishte në fushat e tjera?
28. Sepse, po të kishe marrë përsipër ta vije në provë qoftë edhe një herë, në të gjitha degët e diturisë, do të kishe thënë se ishte më i zoti dhe më i dituri. Veç kësaj, virtytet e jetës së tij nuk ishin më pak të shquara. E vëzhguam mirë në kohën e përndjekjes, kur për shtatë vjet të plota i ikte tërbimit të saj në krahinat e Palestinës.
29. Pas Himeneut, peshkopit që e përmendëm pak më sipër, peshkopatën e kishës së Jerusalemit e mori Zambda. Ai vdiq pas pak kohe, dhe fronin apostolik, që është ruajtur atje deri në kohën e sotme, e trashëgoi Hermoni, i fundit para përndjekjes së ditëve tona.1819
30. Në Aleksandri, Maksimin, që pas vdekjes së Dionisit kishte qenë peshkop tetëmbëdhjetë vjet, e pasoi Teona. Në kohën e tij u bë i dëgjuar Akila, që ishte caktuar presbiter në Aleksandri në të njëjtën kohë me Pierin. Ai u vu në krye të shkollës së besimit të shenjtë dhe tregoi fryte të filozofisë fort të rralla, që nuk mbeteshin prapa askujt, si edhe një sjellje ungjillore të mirëfilltë.2021
31. Pasi Teona e mbajti detyrën nëntëmbëdhjetë vjet, peshkopatën në Aleksandri e mori Pjetri, që u shqua shumë ndër ta për dymbëdhjetë vjet të plota. Nga këto, më pak se tre vjet e qeverisi kishën para përndjekjes; pjesën tjetër të jetës iu nënshtrua një ushtrimi më të rreptë dhe kujdesej, aspak fshehurazi, për të mirën e përgjithshme të kishave. Për këtë arsye ia prenë kokën në vitin e nëntë të përndjekjes dhe u stolis me kurorën e martirizimit.
32. Në këta libra e shkrova tregimin e trashëgimive që nga lindja e Shpëtimtarit tonë deri në shkatërrimin e vendeve të adhurimit: një periudhë prej treqind e pesë vjetësh. Tani më lejoni të kaloj te ndeshjet e atyre që në ditët tona kanë luftuar trimërisht për fenë, dhe të lë me shkrim, që ta dinë brezat e ardhshëm, shtrirjen dhe madhësinë e atyre ndeshjeve.22
Shënime
1. Për Feliksin, shih kreun 30.
2. Për Domnin, shih kreun 30.
3. Siç vëren Closs, njohja e hebraishtes nuk ishte aspak gjë e zakonshme ndër mësuesit e hershëm të Kishës; prandaj Dorotheu lëvdohet që e njihte.
4. D.m.th. Diokleciani.
5. Për këtë Sokrat nuk dimë asgjë.
6. Në kreun 11, më lart.
7. Me sa dimë, Anatoli qe i krishteri i parë që përdori ciklin e vjetër nëntëmbëdhjetëvjeçar të Metonit për të caktuar Pashkën (shih më lart, kreu 20).
8. Famenothi ishte muaji i shtatë i vitit aleksandrin; ky vit u fut në përdorim gjatë mbretërimit të Augustit (viti 25 para Krishtit) dhe fillonte më 29 gusht. Prandaj muaji famenoth fillonte më 25 shkurt, dhe dita e 26-të e këtij muaji i përgjigjej 22 marsit tonë.
9. Distrosi ishte muaji i shtatë i vitit maqedonas dhe përputhej saktësisht me marsin tonë, kështu që dita e 22-të e muajit distros ishte 22 marsi, që sipas mënyrës romake të llogaritjes ishte dita e njëmbëdhjetë para kalendave të prillit.
10. D.m.th. e para nga dymbëdhjetë shenjat e zodiakut.
11. Me sa di unë, Museun e njohim vetëm nga kjo përmendje e Anatolit.
12. Krahaso 2 Korintasve 3:18.
13. ᾽Αριθμητικὰς εἰσαγωγάς. Disa fragmente të kësaj vepre jepen te «Teologumenat e aritmetikës».
14. Për Teoteknin, shih kreun 14.
15. Për zakonin e caktimit të peshkopëve ndihmës, shih Librin VI, kreu 11.
16. Për Stefanin, peshkopin e Laodikesë, dimë vetëm atë që na thotë Eusebi në këtë vend.
17. Fjala është për veprën e Eusebit «Jeta e Pamfilit».
18. Në kreun 14.
19. Shih më lart, kreu 19.
20. Për Maksimin, shih kreun 28.
21. Për Dionisin e Madh, shih sidomos Librin VI, kreu 40.
22. Edikti i Dioklecianit që urdhëronte rrënimin e kishave u shpall në shkurt të vitit 303. Shih Librin VIII, kreu 2.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it