Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Paqja pas përndjekjes.

Libri VII, Kreu V

1. «Por dijeni tani, vëllezërit e mi, se të gjitha kishat në mbarë Lindjen e më tej, që më parë ishin të përçara, janë bashkuar. Të gjithë peshkopët kudo janë në një mendje dhe gëzohen fort për paqen që erdhi përtej çdo pritjeje: kështu Dhimitriani në Antioki, Teoktisti në Qesari, Mazabani në Eli, Marini në Tir (pasi fjeti Aleksandri), Heliodori në Laodike (pasi vdiq Thelimidri), Heleni në Tars dhe të gjitha kishat e Kilikisë, Firmiliani dhe mbarë Kapadokia. Kam përmendur vetëm peshkopët më të shquar, që të mos e bëj letrën tepër të gjatë dhe fjalën tepër të rëndë.1

2. Edhe mbarë Siria, dhe Arabia, së cilës i dërgoni ndihmë sa herë ka nevojë dhe ku sapo keni shkruar, Mesopotamia, Ponti, Bitinia, me një fjalë të gjithë, kudo, gëzohen dhe e lavdërojnë Perëndinë për njëzëshmërinë dhe dashurinë vëllazërore.» Deri këtu Dionisi.2

3. Kurse Stefani e mbajti detyrën dy vjet dhe e pasoi Ksisti. Dionisi i shkroi këtij një letër të dytë për pagëzimin, ku i tregon njëkohësisht mendimin dhe gjykimin e Stefanit e të peshkopëve të tjerë, dhe për Stefanin flet kështu:3

4. «Ai, pra, kishte shkruar më parë për Helenin dhe Firmilianin, dhe për të gjithë ata në Kiliki, në Kapadoki, në Galati e te popujt fqinjë, duke thënë se nuk do të kishte kungim me ta për po këtë shkak, domethënë sepse i ripagëzojnë heretikët. Por shih sa e rëndësishme është kjo punë.

5. Sepse, me të vërtetë, në sinodet më të mëdha të peshkopëve, siç marr vesh, janë nxjerrë dekrete për këtë çështje: ata që vijnë nga herezitë të marrin më parë mësim, dhe pastaj të lahen e të pastrohen nga ndyrësia e majasë së vjetër dhe të papastër. Dhe i shkrova duke iu lutur për të gjitha këto.» Më tej thotë:

6. «U shkrova gjithashtu, në fillim me pak fjalë e kohët e fundit me shumë, bashkëpresbiterëve tanë të dashur, Dionisit dhe Filemonit, të cilët më parë kishin qenë në një mendje me Stefanin dhe më kishin shkruar për të njëjtat çështje.» Kaq për debatin e përmendur më lart.45

Shënime

1. Për Dhimitrianin, Thelimidrin dhe Helenin, shih Librin VI, kreu 46. Për Teoktistin, shih po aty, kreu 19; për Firmilianin, po aty, kreu 26; për Mazabanin, po aty, kreu 39.

2. Kisha e Romës kishte qenë që herët shumë bujare në ndihmën për nevojtarët në çdo anë. Shih letrën e Dionisit të Korintit drejtuar Soterit, peshkopit të Romës, të cituar më lart në Librin IV, kreu 23.

3. E para nga letrat e Dionisit për pagëzimin iu shkrua Stefanit të Romës, siç mësojmë nga kreu 2, më lart. Eusebi përmend edhe katër të tjera, drejtuar përkatësisht Filemonit, një presbiteri romak (kreu 7, §1), Dionisit të Romës (po aty, §6), Ksistit të Romës (kreu 9, §1), si edhe Ksistit dhe kishës së Romës (po aty, §6).

4. Dionisi u bë më vonë pasardhës i Ksistit si peshkop i Romës. Shih më poshtë, kreu 27.

5. Për këtë Filemon dimë vetëm se në këtë kohë ishte presbiter i Romës (shih më poshtë, kreu 7, §1). Në atë kre citohet një fragment nga letra që Dionisi i shkroi atij për pagëzimin.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it