Etërit mbi Ungjijtë
← Eusebi i Qesarisë

Eusebi i Qesarisë

Lajthitja e neveritshme e heretikëve; vegimi hyjnor i Dionisit; dhe kanoni kishtar që mori ai.

Libri VII, Kreu VII

1. Në letrën e tretë për pagëzimin, që po ky Dionis ia shkroi Filemonit, presbiterit romak, tregon sa vijon: «Por unë i shqyrtova veprat dhe traditat e heretikëve. Për pak kohë e ndota mendjen me pikëpamjet e tyre të neveritshme, por nxora prej tyre këtë dobi: i përgënjeshtrova vetë dhe i urreva edhe më shumë.1

2. Një vëlla nga presbiterët po më ndalonte, nga frika se mos më merrte me vete ndyrësia e ligësisë së tyre (sepse do të ma ndotte shpirtin); dhe në këtë, siç e kuptova, thoshte të vërtetën. Atëherë më erdhi një vegim i dërguar nga Perëndia dhe më forcoi.

3. Dhe fjala që më erdhi më urdhëroi, duke thënë qartë: ‹Lexo gjithçka që të bie në dorë, sepse je në gjendje të ndreqësh e të sprovosh çdo gjë; dhe kjo ka qenë për ty që në fillim shkaku i besimit tënd.› E pranova vegimin, meqë përputhej me fjalën apostolike, që u thotë më të fortëve: ‹Bëhuni këmbyes parash të zotë.›»2

4. Pastaj, pasi thotë disa gjëra për të gjitha herezitë, shton: «Këtë rregull dhe këtë urdhëresë e mora nga ati ynë i lumur, Herakla. Sa për ata që vinin nga herezitë, ndonëse e kishin braktisur Kishën (ose më mirë, nuk e kishin braktisur, por dukej se mblidheshin me ta, e megjithatë ishin paditur se shkonin te ndonjë mësues i rremë), pasi i kishte dëbuar nga Kisha, ai nuk i pranonte përsëri, edhe pse i luteshin, derisa të tregonin botërisht gjithçka që kishin dëgjuar nga kundërshtarët e tyre. Por atëherë i pranonte, pa u kërkuar një pagëzim tjetër. Sepse Shpirtin e Shenjtë e kishin marrë më parë prej tij.»3

5. Përsëri, pasi e shtjellon çështjen hollësisht, shton: «Kam mësuar edhe se ky nuk është një zakon i ri, i futur vetëm në Afrikë, por se qysh moti, në kohën e peshkopëve para nesh, ky mendim është pranuar në kishat më të populluara dhe në sinode të vëllezërve në Ikoni e në Sinadë, si edhe nga shumë të tjerë. Nuk duroj dot t'ua përmbys vendimet e t'i hedh në grindje e në zënka. Sepse është thënë: ‹Mos e luaj kufirin e fqinjit tënd, që e kanë vënë etërit e tu.›»45

6. Letrën e katërt për pagëzimin ia shkroi Dionisit të Romës, që atëherë ishte presbiter, por jo shumë kohë më pas mori peshkopatën e asaj kishe. Nga ato që thotë për të Dionisi i Aleksandrisë del qartë se edhe ai ishte njeri i ditur dhe i admirueshëm. Ndër të tjera i shkruan kështu për Novatin:67

Shënime

1. Për këtë Filemon nuk dimë më shumë nga sa mund të nxjerrim prej këtij kreu. Për qëndrimin e Dionisit ndaj ripagëzimit të heretikëve, shih më lart, kreu 2, dhe për letrat e tij të tjera mbi këtë çështje, shih kreun 5.

2. Duke e ndjekur këtë vegim, Dionisi vetëm sa tregohej nxënës i mirëfilltë i mësuesit të tij, Origjenit, dhe shfaqte frymën e vërtetë të shkollës së mëhershme aleksandrine.

3. Për Heraklën, shih Librin VI, kreu 3.

4. Domethënë ripagëzimi (ose, siç do të thoshin ata, pagëzimi) i atyre që e kishin marrë pagëzimin vetëm nga duart e heretikëve që qëndronin jashtë kungimit të Kishës.

5. Ligji i Përtërirë 19:14.

6. Për letrat e tjera të Dionisit mbi pagëzimin, shih më lart, kreu 5.

7. Për Dionisin e Romës, shih më poshtë, kreu 27.

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1890 (zotërim publik) · citimet nga Dhiata e Re sipas Biblës «Së bashku» (2020), © Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, me lejen e saj · regjistri kishtar sipas KOASh-it