Joani 3:5
[1.] Fëmijët e vegjël që shkojnë çdo ditë te mësuesit i marrin mësimet, i përsërisin dhe s'pushojnë kurrë nga ky lloj përvetësimi, po ndonjëherë vënë në punë net e ditë; dhe këtë detyrohen ta bëjnë për gjëra që prishen e kalojnë. Nga ju, që jeni në moshë të pjekur, ne s'kërkojmë një mund të tillë si ai që u kërkoni ju fëmijëve tuaj; sepse jo çdo ditë, po vetëm dy ditë në javë ju nxitim t'u vini veshin fjalëve tona, dhe vetëm për një pjesë të vogël të ditës, që detyra juaj të jetë e lehtë. Për të njëjtën arsye jua ndajmë me pjesë të vogla atë që është shkruar në Shkrim, që të mund ta merrni lehtë dhe ta ruani në hambarët e mendjes suaj, dhe të mundoheni aq shumë t'i mbani mend të gjitha, sa të jeni në gjendje t'ua përsërisni saktë vetë të tjerëve, veçse në qoftë ndonjëri i përgjumur, i topitur dhe më përtac se një fëmijë i vogël.
Le t'i kushtojmë tani vëmendje vazhdimit të asaj që u tha më parë. Kur Nikodimi ra në gabim dhe i shtrembëroi fjalët e Krishtit drejt lindjes tokësore, duke thënë se s'ishte e mundur që një plak të lindte përsëri, shih si Krishti, në përgjigjen e tij, e zbulon më qartë mënyrën e Lindjes. Kjo mënyrë, edhe kështu, i mbetej e vështirë kërkuesit mishtor, po prapëseprapë ishte e zonja ta ngrinte dëgjuesin nga mendimi i tij i ulët për të. Ç'thotë? «Me të vërtetë po të them, në mos u lindtë njeriu prej uji e prej Fryme, s'mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.» Ja ç'shpall ai: «Ti thua se është e pamundur; unë them se është aq e mundur, sa është edhe e domosdoshme, dhe se as nuk mund të shpëtohesh ndryshe.» Sepse gjërat e domosdoshme Perëndia i ka bërë edhe tepër të lehta. Lindja tokësore, ajo që është sipas mishit, është prej pluhurit, dhe prandaj qielli i është mbyllur me mur; sepse ç'të përbashkët ka dheu me qiellin? Po ajo tjetra, që është prej Frymës, na i hap me lehtësi kupat e qiellit. Dëgjoni, ju të gjithë sa jeni ende të pandriçuar: dridhuni, rënkoni: i tmerrshëm është kërcënimi, i tmerrshëm vendimi. «Nuk është e mundur», thotë ai, «që ai që s'ka lindur prej uji e Fryme, të hyjë në mbretërinë e Perëndisë», sepse ai vesh rrobën e vdekjes, të mallkimit, të humbjes; nuk e ka marrë ende shenjën e Zotit të tij, është i huaj dhe i ardhur, nuk e ka parullën mbretërore. «Në mos u lindtë njeriu», thotë ai, «prej uji e prej Fryme, s'mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.»
Po as kështu Nikodimi nuk kuptoi. Asgjë s'është më e keqe se t'ia besosh gjërat shpirtërore arsyetimit; pikërisht kjo s'e linte të mendonte gjë të lartë e të madhe. Prandaj quhemi besimtarë: që, pasi të lëmë poshtë dobësinë e arsyetimeve njerëzore, të ngjitemi në lartësinë e besimit dhe t'ia besojmë mësimit të tij pjesën më të madhe të të mirave tona; dhe po ta kishte bërë Nikodimi këtë, kjo gjë s'do t'i ishte dukur e pamundur. Ç'bën atëherë Krishti? Për ta larguar nga përfytyrimi i tij i rrafshët dhe për të treguar se s'flet për lindjen tokësore, thotë: «Në mos u lindtë njeriu prej uji e prej Fryme, s'mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.» Këtë e tha, ngaqë donte ta tërhiqte drejt besimit me tmerrin e kërcënimit, ta bindte të mos e quante gjënë të pamundur dhe mundohej ta shkulte nga përfytyrimi për lindjen mishtore. «Kam parasysh», thotë ai, «një Lindje tjetër, o Nikodim. Përse e tërheq poshtë thënien drejt dheut? Përse ia nënshtron çështjen domosdoshmërisë së natyrës? Kjo Lindje është tepër e lartë për dhembje të tilla si këto; s'ka asgjë të përbashkët me ju; vërtet quhet ‹lindje›, po vetëm në emër ka diçka të përbashkët, kurse në të vërtetë është ndryshe. Shkëputu nga ajo që është e zakonshme dhe e njohur; një lloj tjetër lindjeje sjell unë në botë, në një mënyrë tjetër dua që të lindin njerëzit: kam ardhur të sjell një mënyrë të re Krijimi. E formova njeriun prej dheu e uji, po ajo që u formua qe e padobishme, ena u shtrembërua; s'do t'i formoj më prej dheu e uji, po ‹prej uji› e ‹prej Fryme›.»
Dhe në pyettë ndokush: «Si prej uji?», edhe unë do të pyes: Si prej dheu? Si u nda balta në pjesë të ndryshme? Si ka mundësi që lënda ishte e njëtrajtshme (ishte vetëm dhe), kurse gjërat e bëra prej saj dolën të llojllojshme e të çdo lloji? Nga vijnë eshtrat, dejet, arteriet dhe damarët? Nga cipat, enët e organeve, kërcat, indet, mëlçia, shpretka dhe zemra? Nga lëkura, gjaku, jargët dhe vreri? Nga aq fuqi të mëdha, nga aq ngjyra të larmishme? Këto s'i përkasin dheut a baltës. Si ka mundësi që dheu, kur i merr farat, i bën të mbijnë, kurse mishi, kur i merr, i tret? Si ka mundësi që dheu ushqen atë që vihet në të, kurse mishi ushqehet prej këtyre gjërave e nuk i ushqen ato? Dheu, për shembull, merr ujë dhe e bën verë; kurse mishi shpesh merr verë dhe e kthen në ujë. Nga del atëherë e qartë se këto gjëra formohen prej dheut, kur natyra e dheut, sipas asaj që u tha, është e kundërt me atë të trupit? Nuk mund ta zbuloj me arsyetim, e pranoj vetëm me anë të besimit. Në qoftë se, pra, gjërat që ndodhin përditë dhe që i prekim me dorë kërkojnë besim, aq më tepër ato që janë më të fshehta e më shpirtërore se këto. Sepse, ashtu si dheu, që s'ka shpirt e s'lëviz, u fuqizua nga vullneti i Perëndisë dhe u punuan në të çudira të tilla, aq më tepër, kur Fryma është e pranishme bashkë me ujin, ndodhin lehtë gjithë ato gjëra kaq të çuditshme e që e kapërcejnë arsyen.
[2.] Mos rri, pra, pa i besuar këto gjëra ngaqë s'i sheh; nuk e sheh shpirtin tënd, e megjithatë beson se ke shpirt dhe se ai është diçka tjetër veç trupit.
Po Krishti nuk e udhëhoqi me këtë shembull, po me një tjetër. Shembullin e shpirtit, ndonëse ai është pa trup, nuk e solli pikërisht për këtë arsye: sepse prirja e dëgjuesit të tij ishte ende tepër e ngathët. I vë përpara një tjetër, që s'ka lidhje me dendësinë e trupave të ngurtë, po as nuk ngjitet aq lart sa te natyrat jotrupore: pra, lëvizjen e erës. Nis në fillim me ujin, që është më i lehtë se dheu, po më i dendur se ajri. Dhe, ashtu si në fillim dheu ishte lënda themelore, po e tëra qe prej Atij që e gatoi, kështu edhe tani uji është lënda themelore, kurse e tëra është prej hirit të Frymës: atëherë «u bë njeriu shpirt i gjallë», tani ai bëhet «frymë që jep jetë». Po i madh është dallimi ndërmjet të dyve. Shpirti nuk i jep jetë askujt tjetër veç atij në të cilin gjendet, kurse Fryma jo vetëm rron, po u jep jetë edhe të tjerëve. Kështu, për shembull, apostujt madje ngjallën të vdekur. Atëherë njeriu u formua i fundit, kur krijimi kishte marrë fund; tani, përkundrazi, njeriu i ri formohet para krijimit të ri: ai lind i pari, dhe pastaj bota ribëhet nga e para. Dhe ashtu si në fillim e formoi të tërin, kështu edhe tani e krijon të tërin. Atëherë tha: «Le t'i bëjmë një ndihmës», po këtu s'tha asgjë të tillë. Ç'ndihmë tjetër do t'i duhet atij që ka marrë dhuratën e Frymës? Ç'nevojë tjetër për ndihmë ka ai që i përket Trupit të Krishtit? Atëherë e bëri njeriun sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, tani e bashkoi me vetë Perëndinë; atëherë e urdhëroi të sundojë mbi peshqit dhe mbi bishat, tani i ka ngritur frytet tona të para përmbi qiejt; atëherë i dha një kopsht për të banuar, tani na e ka hapur qiellin; atëherë njeriu u formua ditën e gjashtë, kur bota ishte gati e mbaruar, kurse tani ditën e parë, në fillim fare, atëherë kur qe krijuar më parë drita. Nga gjithë kjo del qartë se ato që u kryen i përkasin një jete tjetër dhe më të mirë, dhe një gjendjeje që s'ka fund.
Krijimi i parë, pra, ai i Adamit, qe prej dheu; i dyti, ai i gruas, prej brinjës së tij; i treti, ai i Abelit, prej farës; e megjithatë s'arrijmë t'i rrokim me mendje asnjë prej tyre, as t'i vërtetojmë rrethanat me arsyetim, ndonëse janë të një natyre krejt tokësore. Si do të mundim, pra, të japim llogari për lindjen e padukshme me anë të pagëzimit, që është shumë më e lartë se këto, ose të kërkojmë arsyetime për atë Lindje të çuditshme e të mrekullueshme? Sepse edhe engjëjt rrinë pranë ndërsa kryhet ajo Lindje, po nuk do të dinin ta shprehnin mënyrën e asaj vepre të mrekullueshme; vetëm rrinë pranë, pa bërë asgjë, duke soditur ç'ndodh. Të gjitha i vepron Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Le t'i besojmë, pra, thënies së Perëndisë: ajo është më e besueshme se vetë shikimi me sy. Shikimi shpesh gabon, kurse është e pamundur që thënia e Perëndisë të gabojë; le t'i besojmë, pra: ai që i thirri në jetë gjërat që s'ishin, mund të besohet fare mirë kur flet për natyrën e tyre. Ç'thotë, pra? Se ajo që kryhet është një Lindje. Në pyettë ndokush «Si?», mbylli gojën me thënien e Perëndisë, që është prova më e fortë dhe më e qartë. Në pyettë ndokush «Përse përfshihet uji?», le të pyesim edhe ne nga ana jonë: «Përse u përdor dheu në fillim, kur u krijua njeriu?»; sepse që Perëndia mund ta bënte njeriun edhe pa dhe, kjo është krejt e qartë për këdo. Mos u bëj, pra, tepër kureshtar.
Se nevoja për ujë është e domosdoshme dhe e pashmangshme, mund ta mësoni kështu. Një herë, kur Fryma zbriti para se të vihej uji, apostulli nuk u mjaftua me kaq, po, sikur uji të ishte i nevojshëm e jo i tepërt, shih ç'thotë: «A mund t'ua ndalojë kush ujin këtyre, që të mos pagëzohen, ata që e morën Frymën e Shenjtë njësoj si ne?»
Ç'vlen atëherë uji? Edhe këtë do t'jua them më vonë, kur t'jua zbuloj misterin e fshehur. Ka edhe pika të tjera të mësimit mistik të lidhura me këtë çështje, po tani për tani do t'ju përmend vetëm një nga të shumtat. Cila është kjo? Në pagëzim përmbushen premtimet e besëlidhjes sonë me Perëndinë: varrimi dhe vdekja, ngjallja dhe jeta; dhe të gjitha këto ndodhin njëherësh. Sepse, kur zhysim kokën në ujë, njeriu i vjetër varroset si në një varr poshtë dhe fundoset tërësisht përgjithmonë; pastaj, kur e ngremë përsëri, del në vend të tij njeriu i ri. Ashtu si për ne është e lehtë ta zhysim e ta ngremë përsëri kokën, kështu për Perëndinë është e lehtë ta varrosë njeriun e vjetër dhe të nxjerrë në dritë të riun. Dhe kjo bëhet tri herë, që të mësoni se gjithë këtë e përmbush fuqia e Atit, e Birit dhe e Frymës së Shenjtë. Që ta shihni se ajo që themi s'është hamendje, dëgjoni Pavlin që thotë: «U varrosëm bashkë me të me anë të pagëzimit në vdekje»; dhe përsëri: «Njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me të»; dhe përsëri: «U mbollëm bashkë në shëmbëllimin e vdekjes së tij.» Dhe jo vetëm pagëzimi quhet «kryq», po edhe kryqi quhet «pagëzim». «Me pagëzimin që pagëzohem unë», thotë Krishti, «do të pagëzoheni edhe ju»; dhe: «Kam një pagëzim për t'u pagëzuar» (që ju nuk e dini); sepse, ashtu si ne zhysim e ngremë lehtë kokën, kështu edhe ai vdiq e u ngjall lehtë kur deshi, ose më mirë, shumë më lehtë, ndonëse u vonua tri ditë për ikonominë e një misteri.
[3.] Le të tregojmë, pra, ne që u çmuam të denjë për mistere të tilla, një jetë të denjë për Dhuratën, domethënë një sjellje sa më të përkryer; dhe ju që s'jeni çmuar ende të denjë, bëni gjithçka që të bëheni, që të jemi një trup i vetëm, që të jemi vëllezër. Sepse, sa kohë që jemi të ndarë në këtë pikë, edhe në qoftë dikush baba, ose bir, ose vëlla, ose çfarëdo tjetër, nuk është i afërm i vërtetë, sepse është prerë nga ajo lidhje farefisnore që vjen së larti. Ç'dobi ka lidhja me familjen tokësore, në qoftë se nuk na bashkojnë lidhjet shpirtërore? Ç'vlen afëria farefisnore mbi dhe, në qoftë se do të jemi të huaj në qiell? Sepse katekumeni është i huaj për besimtarin. Nuk ka të njëjtën Krye, nuk ka të njëjtin Atë, nuk ka të njëjtin Qytet, as Ushqim, as Veshje, as Tryezë, as Shtëpi, po të gjitha janë të ndryshme: për të parin gjithçka është mbi dhe, kurse për të dytin gjithçka është në qiell. Njëri ka për Mbret Krishtin, tjetri mëkatin dhe djallin; ushqimi i njërit është Krishti, i tjetrit ai ushqim që prishet e tretet; njëri ka për veshje punën e krimbave, tjetri Zotin e engjëjve; qielli është qyteti i njërit, dheu i tjetrit. Meqë, pra, s'kemi asgjë të përbashkët, në ç'gjë, më thoni, do të kemi bashkësi? Mos kaluam të njëjtat dhembje lindjeje, mos dolëm nga e njëjta mitër? Kjo s'ka fare të bëjë me lidhjen më të përsosur. Le të përpiqemi, pra, të bëhemi qytetarë të qytetit që është lart. Deri kur do të rrimë jashtë kufirit, kur duhet të rimarrim atdheun tonë të lashtë? Nuk është rrezik i zakonshëm ai që na kanoset; sepse, në ardhtë puna (mos e dhëntë Perëndia!) që, me ardhjen e papritur të vdekjes, të ikim që këtej të papagëzuar, edhe sikur të kemi dhjetë mijë virtyte, pjesa jonë s'do të jetë tjetër veç ferrit, krimbit helmues, zjarrit të pashuar dhe vargonjve të pazgjidhshëm. Po Perëndia dhëntë që asnjë nga ata që i dëgjojnë këto fjalë të mos e provojë atë ndëshkim! Dhe kjo do të ndodhë, në qoftë se, pasi të jemi çmuar të denjë për misteret e shenjta, ndërtojmë mbi atë themel ar, argjend e gurë të çmuar; sepse kështu, pas ikjes sonë që këtej, do të mundim të dukemi të pasur atje, nëse nuk i lëmë pasuritë tona këtu, por i çojmë në thesare të paprekshme me anë të duarve të të varfërve, kur i japim hua Krishtit. Shumë janë borxhet tona atje, jo në para, po në mëkate; le t'i japim, pra, hua pasuritë tona, që të marrim falje për mëkatet tona, sepse ai është që gjykon. Le të mos e lëmë pas dore kur ka uri këtu, që të na ushqejë përgjithmonë atje. Këtu le ta veshim, që të mos na lërë të zhveshur nga siguria që vjen prej tij. Në i dhënçim të pijë këtu, s'do të themi bashkë me të pasurin: «Dërgo Llazarin, që me majën e gishtit të pikojë ujë mbi gjuhën time që digjet.» Në e pritshim këtu në shtëpinë tonë, atje ai do të na përgatitë shumë banesa; në vajtshim tek ai në burg, edhe ai do të na çlirojë nga vargonjtë tanë; në e pritshim kur është i huaj, s'do të lërë të jemi të huaj për mbretërinë e qiejve, po do të na japë pjesë në Qytetin që është lart; në e vizitofshim kur është i sëmurë, edhe ai do të na shpëtojë shpejt nga sëmundjet tona.
Le të japim, pra, të paktën, ne që marrim gjëra të mëdha ndonëse japim pak, që të fitojmë të mëdhatë. Sa jemi ende në kohë, le të mbjellim, që të korrim. Kur të na zërë dimri, kur deti të mos jetë më i lundrueshëm, s'do të jemi më zotër të kësaj tregtie. Po kur do të vijë dimri? Kur të jetë afër ajo Ditë e madhe dhe e dukshme. Atëherë do të reshtim së lundruari këtë det të madh e të gjerë, sepse me të tillë ngjan jeta e tanishme. Tani është koha e të mbjellit, atëherë e të korrit dhe e fitimit. Në qoftë se dikush nuk e hedh farën në kohën e të mbjellit dhe mbjell në kohën e të korrit, veç që s'arrin asgjë, do të bëhet për të qeshur. Po në qoftë se e tashmja është koha e të mbjellit, del se është kohë jo për të mbledhur, po për të shpërndarë; le të shpërndajmë, pra, që të mbledhim, dhe të mos kërkojmë të mbledhim tani, që të mos e humbim korrjen; sepse, siç thashë, kjo stinë na thërret të mbjellim, të shpenzojmë e të japim, jo të grumbullojmë e të vëmë mënjanë. Le të mos e lëmë, pra, rastin të na ikë, po le të hedhim farë me bollëk dhe të mos kursejmë asgjë nga rezervat tona, që t'i marrim përsëri me shpërblim të bollshëm, me anë të hirit dhe të dashamirësisë së Zotit tonë Jisu Krisht, të cilit, bashkë me Atin dhe Frymën e Shenjtë, i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1889 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it