Joani 4:43–54
1. Leximi i sotëm i Ungjillit vjen pas atij të djeshëm, edhe ky është lënda e fjalimit tonë. Kuptimi i kësaj pjese, në të vërtetë, nuk është i vështirë për t'u gjurmuar, po është i denjë për t'u predikuar, i denjë për mahnitje e lëvdim. Prandaj, kur e lexojmë këtë pjesë të Ungjillit, na duhet më tepër t'ia besojmë vëmendjes suaj sesa ta shkoqitim me mund të madh.
Jisui, pra, pasi qëndroi dy ditë në Samari, «u nis për në Galile», ku ishte rritur. Edhe Ungjillori vazhdon e thotë: «Sepse vetë Jisui dëshmoi që një profet nuk ka nder në vendin e tij.» Jisui nuk u largua nga Samaria pas dy ditësh ngaqë atje s'kishte nder; sepse Samaria nuk ishte vendi i tij, po Galileja ishte. Atëherë, ndërsa e la Samarinë kaq shpejt e erdhi në Galile, ku ishte rritur, si dëshmon ai se «një profet nuk ka nder në vendin e tij»? Përkundrazi, do të dukej se mund ta kishte dëshmuar këtë (që një profet nuk ka nder në vendin e tij) po të kishte përbuzur të shkonte në Galile e të kishte mbetur në Samari.
2. Tani vini re mirë, të dashur, ndërsa Zoti më frymëzon e më jep ç'të them, se këtu na jepet të kuptojmë një mister aspak të vogël. E dini pyetjen që kemi përpara; kërkojeni zgjidhjen e saj. Po, që zgjidhja të bëhet e dëshirueshme, le ta përsërisim çështjen. Ajo që na shqetëson është kjo: përse Ungjillori tha «Sepse vetë Jisui dëshmoi që një profet nuk ka nder në vendin e tij». Të shtyrë nga kjo, kthehemi te fjalët paraardhëse, që të zbulojmë ç'kishte ndër mend Ungjillori kur i tha këto; edhe e gjejmë duke treguar, në fjalët paraardhëse të rrëfimit, se pas dy ditësh Jisui u nis nga Samaria për në Galile. A ishte, pra, për këtë arsye, o Ungjillor, që the se Jisui dëshmoi që një profet nuk ka nder në vendin e tij, vetëm sepse e la Samarinë pas dy ditësh e nxitoi të vinte në Galile? Përkundrazi, mua do të më dukej më e besueshme se, po të mos kishte Jisui nder në vendin e tij, s'do të nxitonte drejt tij duke lënë Samarinë. Po në mos gabofsha, ose më mirë, ngaqë kjo është e vërtetë edhe unë nuk gaboj; sepse Ungjillori e pa më mirë se unë ç'thoshte, e pa të vërtetën më mirë se unë, ai që e piu prej gjirit të Zotit: sepse Ungjillori është po ai Joan që, ndër gjithë nxënësit, u mbështet mbi kraharorin e Zotit, edhe që Zoti, ndonëse u kishte dashuri të gjithëve, e donte më tepër se të tjerët. A do të jetë, pra, ai që gabon, e unë të kem të drejtë në mendimin tim? Përkundrazi, po të kem mendje të përshpirtshme, le të dëgjoj me bindje atë që tha, që të bëhem i denjë të mendoj ashtu si mendoi ai.
3. Dëgjoni, pra, shumë të dashur, ç'mendoj unë për këtë punë, pa e cenuar gjykimin tuaj, po të keni një gjykim më të mirë. Sepse të gjithë kemi një Mësues, edhe jemi bashkënxënës në një shkollë. Ky, pra, është mendimi im; shihni në qoftë se mendimi im s'është i vërtetë, a së paku afër së vërtetës. Në Samari kaloi dy ditë, edhe samaritanët i besuan; shumë ishin ditët që kaloi në Galile, e megjithatë galileasit nuk i besuan. Kthehuni te ajo pjesë, ose sillni ndër mend leximin dhe fjalimin e djeshëm. Ai erdhi në Samari, ku më parë e kishte shpallur ajo grua me të cilën kishte folur mistere të mëdha te pusi i Jakobit. Pasi e panë e dëgjuan, samaritanët i besuan për fjalën e gruas, po besuan edhe më fort për fjalën e tij vetë, madje shumë më tepër prej tyre besuan: kështu është shkruar. Pasi qëndroi atje dy ditë (me këtë numër ditësh tregohet në mënyrë të fshehtë numri i dy urdhërimeve, prej të cilave varet gjithë ligji edhe profetët, siç ju kujtohet, jua lamë të kuptonit dje), shkon në Galile edhe vjen në qytetin Kana të Galilesë, ku e ktheu ujin në verë. Edhe atje, kur e ktheu ujin në verë, siç shkruan vetë Joani, nxënësit e tij i besuan; po, sigurisht, shtëpia ishte plot me një turmë të ftuarish. U bë një mrekulli kaq e madhe, e megjithatë vetëm nxënësit e tij i besuan. Tani është kthyer në këtë qytet të Galilesë. «Edhe ja, një fisnik, që e kishte djalin të sëmurë, erdhi tek ai e zuri t'i lutej të zbriste» në atë qytet a shtëpi, «e t'i shëronte djalin, sepse ishte për të vdekur.» A nuk besonte ai që lutej? Ç'pret të dëgjosh prej meje? Pyete Zotin se ç'mendonte për të. Pasi ai iu lut, ja ç'iu përgjigj: «Po të mos shihni shenja e çudira, nuk besoni.» Na tregon një njeri të vakët, a të ftohtë në besim, a fare pa besim; po të etur të provonte, me shërimin e të birit, se ç'lloj njeriu ishte Krishti, kush ishte, ç'mund të bënte. Fjalët e lutësit, vërtet, i dëgjuam; zemrën e dyshuesit nuk e pamë; po Ai që dëgjoi fjalët edhe pa zemrën, na e tregoi këtë. Me pak fjalë, vetë Ungjillori, me dëshminë e rrëfimit të tij, na tregon se ai njeri që dëshironte t'i vinte Zoti në shtëpi për t'i shëruar djalin, ende s'kishte besuar. Sepse pasi mori vesh se djali i tij ishte shëruar, edhe e gjeti se ishte shëruar pikërisht në atë orë kur Zoti i pati thënë «Shko, biri yt rron», atëherë Ungjillori thotë: «Edhe besoi ai vetë, edhe gjithë shtëpia e tij.» Tani, në qoftë se arsyeja pse besoi ai edhe gjithë shtëpia e tij ishte se i thanë që djali i tij ishte shëruar, edhe se e gjeti orën që i treguan të përputhej me orën kur Krishti e pati parathënë, atëherë del se, kur po bënte lutjen, ende s'kishte besuar. Samaritanët nuk pritën asnjë shenjë, i besuan thjesht fjalës së tij; kurse bashkëqytetarët e tij merituan të dëgjonin këtë: «Po të mos shihni shenja e çudira, nuk besoni.» Edhe atje, megjithëse u bë një mrekulli kaq e madhe, s'besuan veçse «ai vetë edhe shtëpia e tij». Vetëm nga fjala e tij shumë samaritanë besuan; kurse në atë mrekulli, në vendin ku u krye, besoi vetëm ajo shtëpi. Ç'na tregon, pra, vëllezër, Zoti këtu? Galileja e Judesë ishte atëherë vendi i vetë Zotit, sepse aty ishte rritur. Po tani kjo rrethanë paralajmëron diçka. Sepse jo më kot ato shenja në latinisht quhen prodigia, po pikërisht ngaqë paralajmërojnë a parathonë diçka: fjala prodigium është si të ishte porro-dicium, quod porro dicat, domethënë diçka që thotë përpara, që tregon diçka që do të vijë e paralajmëron diçka të ardhme. Tani, pra, të gjitha ato rrethana paralajmëronin diçka, parathoshin diçka; le ta kuptojmë tani vendin e Zotit tonë Jisu Krisht sipas mishit (sepse ai nuk kishte vend mbi tokë, veçse sipas mishit që mori mbi tokë); le ta kuptojmë, them unë, vendin e vetë Zotit si populli i hebrenjve. Ja, në vendin e tij ai nuk ka nder. Vështroni tani turmat e hebrenjve; vështroni atë komb tani të shpërndarë nëpër gjithë botën e të shkulur nga rrënjët; vështroni degët e këputura, të prera, të shpërndara, të thara, të cilat, ngaqë u thyen, i lanë vend ullirit të egër, që u bë i denjë të shartohej; shikoni turmën e hebrenjve: ç'na thonë edhe tani? «Ai që ju e adhuroni edhe i faleni, ishte vëllai ynë.» Edhe ne u përgjigjemi: «Një profet nuk ka nder në vendin e tij.» Me pak fjalë, ata hebrenj e panë Zotin tek ecte mbi tokë e bënte mrekulli; e panë tek u jepte dritë të verbërve, tek u hapte veshët të shurdhërve, tek u zgjidhte gjuhët memecëve, tek u forconte gjymtyrët të paralizuarve, tek ecte mbi det, tek urdhëronte erërat e valët, tek ngjallte të vdekurit: e panë tek bënte shenja kaq të mëdha, e pas gjithë kësaj mezi besuan ca të paktë. Po i flas popullit të Perëndisë; kaq shumë prej nesh besuam, ç'shenja pamë? Kështu, pra, ajo që ndodhi atëherë paralajmëronte atë që po ndodh tani. Hebrenjtë ishin, a më mirë janë, si galileasit; ne, si ata samaritanët. E dëgjuam ungjillin, i dhamë pëlqimin tonë, i besuam Krishtit me anë të ungjillit; s'pamë asnjë shenjë, e nuk kërkojmë asnjë.
4. Sepse, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët e zgjedhur e të shenjtë, megjithatë ishte izraelit, nga kombi i Zotit, ai Thomai që deshi të vinte gishtat në vendet e plagëve. Zoti e qortoi ashtu si qortoi këtë fisnik. Fisnikut i tha: «Po të mos shihni shenja e çudira, nuk besoni»; edhe Thomait i tha: «Sepse më pe, besove.» Ai kishte ardhur te galileasit pasi la samaritanët. Ata i kishin besuar fjalës së tij, ndonëse para tyre s'bëri asnjë mrekulli; i la shpejt e pa merak, të fortë si ishin në besim, sepse me praninë e hyjnisë së tij nuk i kishte braktisur. Tani, pra, kur Zoti i tha Thomait «Eja, zgjat dorën tënde këtu, edhe mos u bëj i pabesë, po besimtar», edhe ai, pasi preku vendet e plagëve, thirri e tha: «Zoti im edhe Perëndia im», atëherë qortohet, edhe i thuhet: «Sepse më pe, besove.» Përse? Veçse «sepse një profet nuk ka nder në vendin e tij». Po, meqë ky Profet ka nder ndër të huaj, ç'vjen më pas? «Lum ata që nuk panë, e megjithatë besuan.» Ne jemi ata që parathuhen këtu; edhe atë që Zoti e lëvdoi që më parë, ai denjoi ta përmbushë edhe në ne. Ata që e kryqëzuan, e panë dhe e prekën me duart e tyre, edhe kështu ca vetë besuan; ne as e pamë, as e prekëm, po dëgjuam edhe besuam. Qoftë fati ynë që lumturia që ai premtoi të përmbushet edhe te ne: si këtu, sepse u parapëlqyem para vendit të tij, ashtu edhe në jetën e ardhshme, sepse u shartuam në vend të degëve që u thyen!
5. Sepse ai tregoi se do t'i thyente këto degë e do të shartonte këtë ulli të egër, kur e preku besimi i centurionit, që i tha: «Nuk jam i denjë të hysh nën strehën time; po thuaj vetëm një fjalë, edhe djali im do të shërohet. Sepse edhe unë jam njeri nën urdhër, që kam ushtarë nën vete; edhe i them njërit: ‹Shko›, edhe shkon; e një tjetri: ‹Eja›, edhe vjen; edhe shërbëtorit tim: ‹Bëje këtë›, edhe e bën. Jisui u kthye nga ata që e ndiqnin, edhe tha: ‹Me të vërtetë po ju them, nuk kam gjetur kaq besim të madh në Izrael.›» Përse nuk gjeti kaq besim të madh në Izrael? «Sepse një profet nuk ka nder në vendin e tij.» A nuk mund t'i kishte thënë Zoti atij centurioni atë që i tha këtij fisniku, «Shko, biri yt rron»? Shihni dallimin: ky fisnik dëshironte që Zoti të zbriste në shtëpinë e tij; kurse ai centurion e shpalli veten të padenjë. Njërit iu tha: «Do të vij edhe do ta shëroj»; tjetrit: «Shko, biri yt rron.» Njërit i premtoi praninë e tij; tjetrin e shëroi me fjalën e tij. Fisniku kërkoi praninë e tij me forcë; centurioni e shpalli veten të padenjë për praninë e tij. Këtu, një lëshim para kryelartësisë; atje, një dhurim ndaj përulësisë. Sikur t'i thoshte fisnikut: «Shko, biri yt rron»; mos më lodh. «Po të mos shihni shenja e çudira, nuk besoni.» Ti do praninë time në shtëpinë tënde, po unë mund të urdhëroj me një fjalë; mos dëshiro të besosh në sajë të shenjave: centurioni, një i huaj, besoi se unë mund të veproja me një fjalë, edhe besoi para se ta bëja; kurse ju, «po të mos shihni shenja e çudira, nuk besoni». Prandaj, po të jetë kështu, le të thyhen ato si degë krenare, edhe le të shartohet ulliri i egër e i përulur; megjithatë, rrënja le të mbetet, ndërsa ato priten e këto pranohen në vendin e tyre. Ku mbetet rrënja? Në patriarkët. Sepse populli i Izraelit është vendi i vetë Krishtit, meqë prej tyre erdhi ai sipas mishit; po rrënja e kësaj peme janë Abrahami, Isaku edhe Jakobi, patriarkët e shenjtë. Edhe ku janë ata? Në prehje pranë Perëndisë, në nder të madh; aq sa pikërisht deri në gjirin e Abrahamit u ngrit i varfëri, i lartësuar, pasi u nda nga trupi, edhe në gjirin e Abrahamit e pa së largu i pasuri kryelartë. Prandaj rrënja mbetet, rrënja lëvdohet; kurse degët krenare merituan të priteshin e të thaheshin; edhe me prerjen e tyre, ulliri i egër e i përulur gjeti vend.
6. Dëgjoni tani si priten degët e natyrshme, si shartohet ulliri i egër, me anë të vetë centurionit, të cilin e pashë me vend ta përmend për ta krahasuar me këtë fisnik. «Me të vërtetë po ju them, nuk kam gjetur kaq besim të madh në Izrael; prandaj po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi.» Sa gjerësisht e pushtoi ulliri i egër tokën! Kjo botë ishte një pyll i hidhur; po për shkak të përulësisë, për shkak të atij «Nuk jam i denjë», «shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi». Edhe le të vijnë; ç'do të bëhet me ata? Sepse po të vijnë, priten nga pylli; ku do të shartohen, që të mos thahen? «Edhe do të rrinë në tryezë», thotë ai, «bashkë me Abrahamin, Isakun edhe Jakobin». Në ç'gosti? Mos mendo se të ftojnë për të pirë shumë, po për të jetuar përjetë. Ku «do të rrinë në tryezë»? «Në mbretërinë e qiejve.» Edhe ç'do të bëhet me ata që erdhën nga fisi i Abrahamit? Ç'do të bëhet me degët me të cilat ishte plot pema? Ç'tjetër, veçse të priten, që të shartohen këto? Na trego se do të priten: «Po bijtë e mbretërisë do të shkojnë në errësirën e jashtme.»
7. Prandaj le të ketë nder Profeti ndër ne, sepse s'pati nder në vendin e tij. Nuk pati nder në vendin ku u formua; le të ketë nder në vendin që formoi ai vetë. Sepse në atë vend ai, Bërësi i gjithçkaje, u bë sipas trajtës së shërbëtorit. Sepse atë qytet ku u bë, atë Sion, atë komb të hebrenjve, e bëri ai vetë kur ishte pranë Atit si Fjala e Perëndisë: sepse «të gjitha u bënë me anë të tij, edhe pa të nuk u bë asgjë». Për atë njeri e dëgjuam sot të thuhet: «Një Ndërmjetës i Perëndisë edhe i njerëzve, njeriu Krisht Jisu». Edhe Psalmet e parathanë, duke thënë: «Nëna ime është Sioni, do të thotë njeriu». Një njeri, njeriu Ndërmjetës midis Perëndisë edhe njerëzve, thotë: «Nëna ime Sioni». Përse thotë «Nëna ime është Sioni»? Sepse prej saj mori mish, prej saj qe Virgjëresha Mari, prej barkut të së cilës mori trajtën e shërbëtorit; në të cilën denjoi të dukej tejet i përulur. «Nëna ime është Sioni», thotë një njeri; edhe ky njeri, që thotë «Nëna ime është Sioni», u bë në të, u bë njeri në të. Sepse ishte Perëndi para saj, edhe u bë njeri në të. Ai që u bë njeri në të, «vetë e themeloi atë; Më i Larti u bë njeri në të, në atë fort të ulët». Sepse «Fjala u bë mish, edhe banoi ndër ne». «Ai vetë, Më i Larti, e themeloi atë.» Tani, meqë e themeloi këtë vend, këtu le të ketë nder. Vendi ku lindi e hodhi poshtë; le ta presë vendi që ai e rilindi.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it