← I Lumturi Agustini i Hiponit

I Lumturi Agustini i Hiponit

Joani 8:12

1. Atë që sapo dëgjuam dhe e pritëm me vëmendje, ndërsa lexohej Ungjilli i shenjtë, nuk dyshoj se të gjithë jemi përpjekur ta kuptojmë, dhe se secili prej nesh, sipas masës së vet, rroku aq sa mundi nga një çështje kaq e madhe si kjo që u lexua. Dhe, meqë buka e fjalës është shtruar, askush s'mund të ankohet se nuk shijoi asgjë. Por prapë nuk dyshoj se me zor gjendet ndonjë që ta ketë kuptuar të tërën. Megjithatë, edhe në qoftë se ka ndonjë që i kupton mjaftueshëm fjalët e Zotit tonë Jisu Krisht, të cilat sapo u lexuan nga Ungjilli, le ta durojë shërbesën tonë, kurse ne, me ndihmën e Tij dhe po të jetë e mundur, t'i shtjellojmë këto e të bëjmë që ose të gjithë, ose shumë veta, të kuptojnë atë që pak veta gëzohen se e kanë kuptuar vetë.

2. Mendoj se ajo që thotë Zoti, «Unë jam drita e botës», është e qartë për ata që kanë sy, përmes të cilëve bëhen pjesëtarë të kësaj drite. Kurse ata që s'kanë sy veçse sipas mishit, çuditen me atë që thotë Zoti Jisu Krisht: «Unë jam drita e botës». Dhe ndoshta s'do të mungojë as ndonjë që thotë me vete: Vallë, a mos është Zoti Krisht ai diell që me lindjen dhe perëndimin e vet sjell ditën? Sepse s'kanë munguar heretikë që kështu kanë menduar. Manikenjtë kanë pandehur se Zoti Krisht është ai diell që duket me sytë e mishit, i zbuluar dhe i hapur për t'u parë jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga kafshët. Por besimi i drejtë i Kishës Katolike e hedh poshtë një trillim të tillë dhe e kupton se është mësim djallëzor: jo vetëm e pranon si të tillë duke besuar, por, atje ku mundet, e provon edhe me arsyetim. Le ta hedhim poshtë, pra, këtë lloj gabimi, që Kisha e Shenjtë e ka anatemuar që në fillim. Të mos pandehim se Zoti Jisu Krisht është ky diell që e shohim të lindë nga lindja e të perëndojë nga perëndimi. Ky është dielli që pas rrugës i vjen nata, që rrezet ia err një re, që lëviz nga një vend në tjetrin me një lëvizje të caktuar. Zoti Krisht nuk është diçka e tillë. Zoti Krisht nuk është dielli që u bë, por Ai me të cilin u bë dielli. Sepse «të gjitha u bënë me anë të Tij, dhe pa Të s'u bë asgjë».

3. Ka, pra, një Dritë që e bëri këtë dritë të diellit: le ta duam këtë Dritë, le të digjemi për ta kuptuar, le të kemi etje për të, që, duke e pasur atë vetë si udhërrëfyes, të arrijmë më në fund tek ajo, dhe të jetojmë në të ashtu që të mos vdesim kurrë. Kjo është vërtet ajo Dritë të cilën e parathoshte profecia qëmoti, kur këndonte kështu në psalm: «O Zot, ti do t'i shpëtosh njerëzit dhe kafshët; ashtu si shumëzohet mëshira jote, o Perëndi.» Këto janë fjalët e psalmit të shenjtë: vini re ç'paratha fjala e lashtë e njerëzve të shenjtë të Perëndisë për një dritë të tillë. «Njerëzit», thotë, «dhe kafshët do t'i shpëtosh, o Zot; ashtu si shumëzohet mëshira jote, o Perëndi.» Sepse, meqë ti je Perëndi dhe ke mëshirë të shumëfishtë, po kjo shumësi e mëshirës sate arrin jo vetëm te njerëzit që i krijove sipas shëmbëlltyrës sate, por edhe te kafshët që i bëre t'i shërbejnë njeriut. Sepse ai që i jep shpëtim njeriut, po ai i jep shpëtim edhe kafshës. Mos u skuq të mendosh kështu për Zotin, Perëndinë tënd: përkundrazi, beso këtë, ki besim në të e shiko të mos mendosh ndryshe. Ai që të shpëton ty, po ai shpëton kalin tënd dhe delen tënde; e, për të ardhur te më i vogli, edhe pulën tënde: «Shpëtimi është prej Zotit», dhe Perëndia i shpëton këto. Je i shqetësuar dhe pyet. Çuditem pse dyshon. A do të përbuzë të shpëtojë Ai që denjoi të krijojë? E Zotit është shpëtimi i engjëjve, i njerëzve dhe i kafshëve: «Shpëtimi është prej Zotit.» Ashtu si asnjë njeri s'është prej vetvetes, kështu asnjë njeri s'shpëtohet prej vetvetes. Prandaj me shumë të drejtë dhe fort mirë e thotë psalmi: «O Zot, ti do t'i shpëtosh njerëzit dhe kafshët.» Pse? «Ashtu si shumëzohet mëshira jote, o Perëndi.» Sepse ti je Perëndi, ti krijove, ti shpëton: ti e dhe të qenët, ti e jep të qenët me shëndet.

4. Meqë, pra, ashtu si shumëzohet mëshira e Perëndisë, njerëzit dhe kafshët shpëtohen prej Tij, a nuk kanë njerëzit diçka tjetër, që Perëndia si Krijues ua jep atyre, por s'ua jep kafshëve? A nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet krijesës së gjallë të bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe krijesës së gjallë të bërë të nënshtruar nën shëmbëlltyrën e Perëndisë? Ka, kuptohet: përveç atij shpëtimi që na është i përbashkët me kafshët pa gojë, ka atë që Perëndia na jep neve, por jo atyre. Cila është kjo? Ndiq më tej po atë psalm: «Kurse bijtë e njerëzve do të shpresojnë nën strehën e krahëve të tu.» Duke pasur tashti një shpëtim të përbashkët me bagëtinë e tyre, «bijtë e njerëzve do të shpresojnë nën strehën e krahëve të tu.» Ata kanë një shpëtim në fakt, një tjetër në shpresë. Ky shpëtim që kemi tani u është i përbashkët njerëzve dhe bagëtisë; por ka një tjetër që njerëzit e shpresojnë; dhe këtë e marrin ata që e shpresojnë, kurse ata që dëshpërohen nuk e marrin. Sepse thotë: «Bijtë e njerëzve do të shpresojnë nën strehën e krahëve të tu.» Dhe ata që shpresojnë me këmbëngulje mbrohen prej teje, që të mos i rrëzojë djalli nga shpresa e tyre: «Nën strehën e krahëve të tu do të shpresojnë.» Në qoftë se shpresojnë, çfarë do të shpresojnë, veçse atë që bagëtia s'do ta ketë? «Do të dehen krejt nga begatia e shtëpisë sate; dhe nga përroi i kënaqësisë sate do t'u japësh të pinë.» Ç'lloj vere është kjo, që të dehesh me të është gjë e lëvdueshme? Ç'lloj vere është kjo që s'e trazon mendjen, por e drejton? Ç'lloj vere është kjo që të mban përherë të shëndoshë nga mendtë dhe s'të çmend duke e pirë? «Do të dehen krejt.» Si? «Nga begatia e shtëpisë sate; dhe nga përroi i kënaqësisë sate do t'u japësh të pinë.» Si kështu? «Sepse te ti është burimi i jetës.» Vetë burimi i jetës eci mbi dhe, po ai që tha: «Kush ka etje, le të vijë tek unë.» Ja burimi! Por ne po nisim të flasim për dritën dhe të merremi me çështjen që u shtrua nga Ungjilli për dritën. Sepse lexuam si tha Zoti: «Unë jam drita e botës.» Prej andej lindi një pyetje, se mos ndokush, duke e kuptuar këtë sipas mishit, ta merrte këtë dritë për diellin: erdhëm prej andej te psalmi, dhe, pasi e shqyrtuam, gjetëm ndërkohë se Zoti është burimi i jetës. Pi dhe rro. «Te ti», thotë, «është burimi i jetës»; prandaj, «nën hijen e krahëve të tu shpresojnë bijtë e njerëzve», duke kërkuar të dehen krejt me këtë burim. Por ne po flisnim për Dritën. Ndiq, pra, më tej; sepse profeti, pasi tha «Te ti është burimi i jetës», shtoi më tej: «Në dritën tënde do të shohim dritë», Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite. Me anë të kësaj Drite u bë drita e diellit; dhe Drita që bëri diellin, nën të cilin na bëri edhe ne, u bë nën diell për hirin tonë. Ajo Dritë që bëri diellin, u bë, po them, nën diell për hirin tonë. Mos e përçmo renë e mishit; me atë re mbulohet, jo për t'u errur, por për t'u zbutur.

5. Ajo Dritë që s'venitet kurrë, Drita e urtësisë, duke folur nëpërmjet resë së mishit, u thotë njerëzve: «Unë jam drita e botës; ai që më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.» Si të tërhoqi nga sytë e mishit dhe të thirri prapa te sytë e zemrës! Sepse s'mjafton të thuhet «Kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritë»; shtoi edhe «të jetës», ashtu siç u tha atje: «Sepse te ti është burimi i jetës.» Shihni pra, vëllezërit e mi, si përputhen fjalët e Zotit me të vërtetën e atij psalmi: edhe atje drita vihet bashkë me burimin e jetës, edhe nga Zoti thuhet «drita e jetës». Por për nevojat e trupit, drita dhe burimi janë gjëra të ndryshme: goja jonë kërkon burim, sytë tanë dritë; kur kemi etje kërkojmë burim, kur jemi në errësirë kërkojmë dritë; dhe, po të na qëllojë të kemi etje natën, ndezim një dritë për të vajtur te një burim. Jo kështu me Perëndinë. Drita dhe burimi janë e njëjta gjë: Ai që shkëlqen për ty që të shohësh, po ai rrjedh për ty që të pish.

6. E shihni, pra, vëllezërit e mi, e shihni, po të shihni përbrenda, ç'lloj drite është kjo, për të cilën Zoti thotë: «Ai që më ndjek nuk do të ecë në errësirë.» Ndiqe diellin, dhe le të shohim a s'do të ecësh në errësirë. Ja, kur lind, del para teje; shkon rrugës së vet drejt perëndimit. Ndoshta udhëtimi yt është drejt lindjes: po të mos ecësh në drejtim të kundërt me atë ku shkon ai, patjetër do të gabosh duke e ndjekur, dhe, në vend të lindjes, do të arrish në perëndim. Po ta ndjekësh nga toka, do t'ia humbasësh rrugën; po ta ndjekë detari nga deti, do t'ia humbasë. Së fundi, le të themi se të duket sikur duhet ta ndjekësh diellin, dhe udhëton edhe ti vetë drejt perëndimit, ku shkon edhe ai; le të shohim, pasi të perëndojë, a s'do të ecësh në errësirë. Shih si, ndonëse ti s'do ta braktisësh, ai do të të braktisë ty, për ta mbyllur ditën, sepse kështu e do shërbesa e tij. Kurse Zoti ynë Jisu Krisht, edhe kur nuk ishte i dukshëm për të gjithë nëpërmjet resë së mishit të Tij, prapëseprapë njëkohësisht i mbante të gjitha gjërat me fuqinë e urtësisë së Tij. Perëndia yt është i tërë kudo: po të mos shkëputesh ti prej Tij, Ai s'do të shkëputet kurrë prej teje.

7. Kështu, pra, «Ai që më ndjek», thotë, «nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.» Atë që premtoi, e vuri me një folje të kohës së ardhme; sepse s'thotë ka, por «do të ketë dritën e jetës». Megjithatë s'thotë: ai që do të më ndjekë, por: ai që më ndjek tani. Atë që kemi për detyrë të bëjmë, e vuri në kohën e tashme; kurse atë që u premtoi atyre që e bëjnë, e tregoi me një folje të kohës së ardhme. «Ai që ndjek, do të ketë.» Ai që ndjek tani, do të ketë më pas: ndjek tani me anë të besimit, do të ketë më pas me anë të të parit. Sepse, «sa kohë që jemi në trup», thotë apostulli, «rrimë larg Zotit: sepse ecim me anë të besimit, jo me anë të të parit.» Kur do të ecim me anë të të parit? Kur të kemi dritën e jetës, kur të kemi arritur te ajo soditje, kur të ketë shkuar kjo natë. Për atë ditë, që ka për të gdhirë, thuhet: «Në mëngjes do të rri pranë teje dhe do të të sodit.» Ç'do të thotë «në mëngjes»? Kur të ketë mbaruar nata e kësaj bote, kur të kenë mbaruar tmerret e ngasjeve, kur të jetë mundur ai luan që sillet duke ulëritur natën dhe kërkon cilin të gllabërojë. «Në mëngjes do të rri pranë teje dhe do të sodit.» Tani, ç'mendojmë, vëllezër, se është detyra jonë për këtë kohë të tashme, veçse atë që përsëri thuhet në psalm: «Çdo natë do të laj shtratin tim; do të lag me lot shtrojën time»? Çdo natë, thotë, do të qaj; do të digjem nga dëshira për dritën. Zoti e sheh dëshirën time: sepse një psalm tjetër i thotë: «Gjithë dëshira ime është para teje; dhe rënkimi im s'të është fshehur.» A dëshiron ar? Mund të të shohin; sepse, tek kërkon ar, do të dukesh para njerëzve. A dëshiron grurë? I kërkon dikujt që e ka; dhe atë e vë në dijeni, tek kërkon të arrish atë që dëshiron. A dëshiron Perëndinë? Kush sheh, veç Perëndisë? Prej kujt, atëherë, e kërkon Perëndinë, ashtu si kërkon bukë, ujë, ar, argjend, grurë? Prej kujt e kërkon Perëndinë, veçse prej Perëndisë? Prej vetes kërkohet Ai që premtoi veten. Le ta zgjerojë shpirti dëshirën e vet, dhe me gji më të gjerë le të kërkojë të rrokë atë që «syri s'e ka parë, as veshi s'e ka dëgjuar, as s'i ka hyrë njeriut në zemër.» Mund ta dëshirojmë, mund të mallëngjehemi për të, mund të gulçojmë pas tij; por ta rrokim denjësisht dhe ta shpalosim me fjalë denjësisht, s'mundemi.

8. Prandaj, vëllezërit e mi, meqë Zoti thotë shkurt: «Unë jam drita e botës; ai që më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës», me këto fjalë Ai urdhëroi një gjë dhe premtoi një tjetër. Le të bëjmë atë që urdhëroi, që të mos kërkojmë me fytyrë të paturpshme atë që premtoi. Përndryshe, në gjyqin e Tij do të na thotë: A e bëre atë që të urdhërova, sa të presësh atë që të premtova? Çfarë urdhërove, pra, o Zot, Perëndia ynë? Ai të thotë: Që të më ndjekësh. Kërkove këshillë për jetën? Për cilën jetë, veçse për atë të cilës i thuhet: «Te ti është burimi i jetës»? Një njeri dëgjoi t'i thuhej: «Shko, shit gjithë sa ke dhe jepua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja, ndiqmë.» Ai s'e ndoqi, po iku i trishtuar; kishte kërkuar «Mësuesin e mirë», kishte vajtur tek Ai si te një mësues, dhe e përçmoi mësimin e Tij; iku i trishtuar, i lidhur dhe i mbërthyer nga epshet e veta; iku i trishtuar, me një barrë të madhe lakmie mbi supe. Mundohej dhe shqetësohej; e prapë mendonte se Ai, që donte t'ia hiqte barrën, nuk duhej ndjekur, por braktisur. Por, pasi Zoti thirri me zë të lartë me anë të Ungjillit: «Ejani tek unë, të gjithë ju që mundoheni dhe jeni të ngarkuar rëndë, dhe unë do t'ju jap prehje; merrni zgjedhën time mbi vete dhe mësoni prej meje, se jam zemërbutë dhe i përulur në zemër», sa e sa veta, kur e dëgjuan Ungjillin, e bënë atë që ai i pasur, kur e dëgjoi nga vetë goja e Tij, nuk e bëri? Prandaj le ta bëjmë tani, le ta ndjekim Zotin; le t'i zgjidhim prangat që na pengojnë ta ndjekim. Dhe kush është i zoti t'i zgjidhë pranga të tilla, veçse po të ndihmojë Ai, të cilit i thuhet: «Ti i këpute prangat e mia»? Për të cilin një psalm tjetër thotë: «Zoti i zgjidh ata që janë në pranga; Zoti i ngre ata që janë të shtypur dhe të munduar.»

9. Dhe çfarë ndjekin ata që janë zgjidhur dhe ngritur, veçse Dritën prej së cilës dëgjojnë: «Unë jam drita e botës; ai që më ndjek nuk do të ecë në errësirë»? Sepse Zoti u jep dritë të verbërve. Prandaj ne, vëllezër, që kemi melhemin e besimit për sytë, jemi tashmë të ndriçuar. Sepse pështyma e Tij më parë u përzie me dheun, dhe me të u lyen sytë e atij që kishte lindur i verbër. Edhe ne kemi lindur të verbër prej Adamit, dhe kemi nevojë për Të që të na ndriçojë. Ai e përzieu pështymën me baltë: «Edhe Fjala u bë mish, edhe banoi ndër ne.» E përzieu pështymën me dhe; prandaj u paratha: «E vërteta mbiu nga dheu»; dhe Ai vetë tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.» Kur të shohim ballë për ballë, do të kemi gëzimin e plotë të së vërtetës; sepse edhe kjo na është premtuar. Sepse kush do të guxonte të shpresonte për atë që Perëndia s'kish denjuar as ta premtonte, as ta jepte? Do të shohim ballë për ballë. Apostulli thotë: «Tani njoh pjesërisht, tani si nëpër një pasqyrë, në errësirë; por atëherë, ballë për ballë.» Dhe apostulli Joan thotë në letrën e vet: «Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë; dhe ende s'është dukur se ç'do të jemi: dimë se, kur Ai të shfaqet, do të jemi si Ai; sepse do ta shohim ashtu siç është.» Ky është një premtim i madh; po ta duash, ndiq. E dua, thua ti, po nga cila udhë të ndjek? Sikur Zoti, Perëndia yt, të të kishte thënë «Unë jam e vërteta dhe jeta», atëherë, duke dëshiruar të vërtetën e duke u përmalluar për jetën, me të drejtë mund të pyesje për udhën nga e cila mund të arrije tek ato, dhe mund t'i thoshe vetes: E madhe është e vërteta, e madhe është jeta, veç të kishte një mënyrë me anë të së cilës shpirti im të arrinte tek ato! A pyet nga cila udhë? Dëgjoje si thotë në fillim: «Unë jam udha.» Para se të thoshte se ku, tha më parë nga cila udhë: «Unë jam», thotë, «udha.» Udha për ku? «Dhe e vërteta dhe jeta.» Së pari të tha udhën nga e cila të vish; pastaj, se ku të vish. Unë jam udha, unë jam e vërteta, unë jam jeta. Duke qëndruar me Atin, është e vërteta dhe jeta; duke veshur mishin, u bë udha. Nuk të thuhet: Mundohu të gjesh një udhë për të arritur te e vërteta dhe jeta; kjo s'të thuhet. O përtac, çohu: vetë udha erdhi te ti dhe të zgjoi nga gjumi; po të zgjoi, atëherë çohu dhe ec. Ndoshta po përpiqesh të ecësh dhe s'mundesh, sepse të dhembin këmbët. Si u bë që të dhembin këmbët? Mos vallë kanë vrapuar nëpër vende gurishtore me urdhrin e lakmisë? Por fjala e Perëndisë ka shëruar edhe të çalët. Ja, thua ti, i kam këmbët të shëndosha, po vetë udhën s'e shoh. Ai i ka ndriçuar edhe të verbërit.

10. Gjithë kjo bëhet me anë të besimit, sa kohë që rrimë larg Zotit, tek banojmë në trup; por kur ta kemi përshkuar udhën dhe ta kemi arritur vetë shtëpinë, kush do të jetë më i gëzuar se ne? Kush do të jetë më i lumtur se ne? Sepse askush s'do të jetë më në paqe se ne; sepse atje s'do të ketë më kryengritje kundër njeriut. Por tani, vëllezër, na është e vështirë të jemi pa luftë. Vërtet jemi thirrur në harmoni, na është urdhëruar të kemi paqe midis nesh; për këtë duhet të vëmë gjithë mundin dhe të përpiqemi me gjithë forcën tonë, që të arrijmë më në fund te paqja më e përsosur; por tani për tani jemi në luftë, shpeshherë me ata të cilëve u kërkojmë të mirën. Dikush shkon në rrugë të shtrembër, ti do ta sjellësh në udhë; ai të bën qëndresë, ti mundohesh me të; pagani të bën qëndresë, ti u kundërvihesh gabimeve të idhujve dhe të djajve; një heretik bën qëndresë, ti u kundërvihesh mësimeve të tjera të djajve; një katolik i keq nuk do të jetojë drejt, ti qorton edhe vëllanë tënd përbrenda; ai banon me ty në shtëpi dhe kërkon shtigjet e humbjes; ti ndizesh nga një zell i zjarrtë për ta ndrequr, që t'i japësh Zotit llogari të mirë për të dy. Sa e sa nevoja për luftë dalin nga çdo anë! Shpeshherë dikë e mund lodhja dhe i thotë vetes: «Ç'punë kam unë të duroj kundërshtarët, të duroj ata që të shpërblejnë të keqen për të mirën? Unë dua t'u bëj mirë, ata duan të humbin; e sfilit jetën time në luftë; s'kam paqe; për më tepër, bëj armiq ata që duhej t'i kisha miq, sikur ta çmonin vullnetin e mirë të atij që u kërkon të mirën: ç'punë kam unë ta duroj këtë? Le të kthehem te vetja, do të ruhem vetëm për veten, do të thërres Perëndinë tim.» Kthehu te vetja: aty gjen luftë. Po të kesh nisur të ndjekësh Perëndinë, aty gjen luftë. Ç'luftë, thua ti, gjej? «Mishi lakmon kundër Frymës, dhe Fryma kundër mishit.» Ja, je vetë ti, je vetëm, je me veten tënde; ja, s'po duron asnjë njeri tjetër, e prapë sheh një ligj tjetër në gjymtyrët e tua që lufton kundër ligjit të mendjes sate dhe të bën rob në ligjin e mëkatit, që është në gjymtyrët e tua. Klith, pra, dhe thirri Perëndisë, që të të japë paqe nga lufta e brendshme: «I mjeri unë, kush do të më çlirojë nga trupi i kësaj vdekjeje? Hiri i Perëndisë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht.» Sepse «Ai që më ndjek», thotë, «nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.» Kur të mbarojë çdo luftë, do të vijë pavdekësia; sepse «armiku i fundit, vdekja, do të shkatërrohet.» Dhe ç'paqe do të jetë kjo? «Kjo që prishet duhet të veshë mosprishjen, dhe kjo që vdes duhet të veshë pavdekësinë.» Që të arrijmë atje (sepse atëherë do të jetë vërtet kështu), le ta ndjekim tani me shpresë Atë që tha: «Unë jam drita e botës; ai që më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.»

Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1888 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it