Lluka 8:4-8
«8:4-8. Edhe kur u mblodh një turmë e madhe, edhe erdhën tek Ai njerëz nga çdo qytet, foli me një shëmbëlltyrë: ‹Mbjellësi doli të mbjellë farën e vet; edhe, tek mbillte, një pjesë ra buzë udhës, edhe u shkel, edhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Edhe një pjesë tjetër ra mbi shkëmb, edhe, si mbiu, u tha, sepse nuk kishte lagështirë. Edhe një pjesë tjetër ra ndër ferra, edhe ferrat u rritën bashkë me të, edhe e mbytën. Edhe një pjesë tjetër ra mbi tokë të mirë, edhe u rrit, edhe dha fryt njëqindfish.› Duke thënë këto, thirri: ‹Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.›»
Profetët e bekuar na kanë folur në shumë mënyra për Krishtin, Shpëtimtarin e të gjithëve. Sepse disa e shpallën si një Dritë që kishte për të ardhur, kurse të tjerë si dikush me pozitë e madhështi mbretërore. Njëri prej tyre madje thotë: «Lum ai që ka farë në Sion dhe të afërm në Jerusalem; sepse ja, mbreti i saj i drejtë do të mbretërojë, edhe princat do të sundojnë me gjykim. Edhe ai njeri do të jetë një që i fsheh fjalët e veta.» Sepse fjala e Shpëtimtarit është përherë, si të thuash, e fshehur. Kështu edhe Psalmisti i bekuar na e ka paraqitur, duke thënë: «Do të hap gojën time me shëmbëlltyra.» Shih, pra, se ajo që u tha prej Tij në kohët e vjetra, u përmbush. Sepse rreth Tij u mblodh një turmë e madhe njerëzish nga gjithë Judeja, dhe Ai u foli me shëmbëlltyra. Por, meqenëse nuk ishin të denjë të mësonin misteret e mbretërisë së qiejve, fjala u mbështoll për ta në errësirë. Sepse kishin vrarë profetët e shenjtë dhe, fajtorë për shumë gjak të të drejtëve, dëgjuan që u drejtoheshin haptas këto fjalë: «Cilin nga profetët nuk e vranë etërit tuaj?» Dhe përsëri: «O Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët dhe godet me gurë ata që të dërgohen! Sa herë desha t'i mbledh bijtë e tu, ashtu si klloçka mbledh zogjtë e vet nën krahë, edhe ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet.»
Por veprat e tyre të liga nuk u shtrinë vetëm te profetët e shenjtë, por u ngjitën gjer te Ai që është Zot i profetëve, domethënë te Krishti. Sepse, të pafytyrë dhe duke ngritur, si të thuash, qafën e tyre kryelartë kundër Tij, nuk i kushtuan aspak vëmendje detyrës për të besuar në Të. Madje kundërshtuan me ligësi mësimin e Tij të hapur, qortuan ata që donin të rrinin vazhdimisht me Të e që etnin për mësimin e Tij, dhe thoshin pabesërisht: «Ka një demon dhe është i çmendur; përse e dëgjoni?» Atyre, pra, nuk iu dha të njihnin misteret e mbretërisë së qiejve, por më tepër neve, që jemi më të gatshëm ta përqafojmë besimin. Sepse Ai, si urtësi e përsosur, na ka dhënë aftësinë «për të kuptuar shëmbëlltyra dhe fjalë të errëta, fjalët e të urtëve dhe gjëegjëzat e tyre». Sepse shëmbëlltyrat, mund të themi, janë shëmbëllime jo të gjërave të dukshme, por më tepër të atyre që rrokim me mendje e që janë shpirtërore. Sepse atë që është e pamundur ta shohësh me sytë e trupit, shëmbëlltyra ia tregon syve të mendjes, duke i dhënë bukur trajtë hollësisë së gjërave mendore me anë të gjërave që u përkasin shqisave e që janë, si të thuash, të prekshme. Le të shohim, pra, ç'dobi na thur fjala e Shpëtimtarit.
«Mbjellësi», thotë, doli të «mbjellë farën e vet», e kështu me radhë. Për cilin, pra, foli kështu? Sigurisht, për Veten e Tij. Sepse Ai është vërtet Mbjellësi i çdo të mire, dhe ne jemi ara e Tij; dhe prej Tij e nga Ai vjen gjithë korrja e fryteve shpirtërore. Këtë na e mësoi kur tha: «Pa mua nuk mund të bëni asgjë.»
Me sytë e mendjes, pra, shih, të lutem, një bujk që ecën andej-këtej dhe mbjell farë kudo nëpër ara; prej saj një pjesë bie mbi udhë, një pjesë mbi shkëmbinj, një pjesë në vende me ferra, dhe përsëri një pjesë në tokë të mirë, domethënë pjellore. Por ajo që ra mbi udhë u rrëmbye; ajo mbi shkëmbinj, sapo mbiu e mezi u ngrit, u tha shpejt nga thatësira; ajo ndër ferra u mbyt; kurse ajo që ra në tokë të mirë lulëzoi, sepse dha fryt, thotë, njëqindfish.
Tani, cili është qëllimi i kësaj fjale dhe cili është mësimi më i thellë i shëmbëlltyrës, do ta mësojmë prej Atij që e hartoi. Edhe para nesh, vetë nxënësit e bekuar e patën të vështirë t'i kuptonin këto, dhe iu afruan Zbuluesit të mistereve, duke iu lutur e duke i thënë: «Ç'është kjo shëmbëlltyrë?» Dhe cila qe përgjigjja e Krishtit? «Fara është fjala e Perëndisë; ata buzë udhës janë ata që dëgjuan, e pastaj vjen djalli e ua merr fjalën nga zemra, që të mos besojnë e të mos shpëtohen.» Sa për shkakun pse u rrëmbye fara buzë udhës, e shohim menjëherë se është ngurtësia e tokës. Udha është përherë e fortë dhe e palëruar, sepse është e shkelur nga këmbët e gjithkujt; asnjë farë nuk pranohet brenda saj, por rri mbi sipërfaqe, gati për çdo zog që do ta rrëmbejë. Të gjithë, pra, që e kanë mendjen të fortë e kokëfortë dhe, si të thuash, të ngjeshur, nuk e marrin farën hyjnore; sepse këshilla hyjnore dhe e shenjtë s'gjen hyrje tek ata, as nuk i pranojnë fjalët që do të mbillnin tek ata frikën e Perëndisë e me të cilat mund të jepnin si fryte lavditë e virtytit. Ata e kanë bërë veten udhë të rrahur e të shkelur për demonët e ndyrë, madje edhe për vetë Satanain, udhë që kurrë s'mund të japë fryt të shenjtë. Le të zgjohen, pra, ata që e kanë zemrën shterpe e të pafrytshme. Hapni mendjen, prisni farën e shenjtë, bëhuni si tokë pjellore dhe e lëruar mirë, jepni për Perëndinë frytet që do t'ju ngrenë drejt një jete të pakalbshme. Ruani mendjen tuaj, mbyllni hyrjen para vjedhësit, dëboni nga zemrat tuaja tufat e zogjve, që fara të mbetet me ju, që të jeni tokë e begatë me grurë, fort pjellore dhe që jep fryt me bollëk.
Më tej, le t'i vështrojmë edhe ata të tjerët, për të cilët Krishti tha: «Ndërsa ata mbi shkëmb janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim, por nuk kanë rrënjë; këta besojnë për një kohë, dhe në kohën e ngasjes largohen.» Sepse ka vërtet njerëz, besimi i të cilëve nuk është vënë në provë, që mbështeten thjesht te fjalët e nuk e vënë mendjen të shqyrtojnë misterin; te këta përshpirtëria është pa lëng e pa rrënjë. Sepse, kur hyjnë në kishë, shpesh ndiejnë kënaqësi kur shohin kaq shumë njerëz të mbledhur, e presin me gëzim mësimin e mistereve prej atij që ka për detyrë të mësojë dhe i thurin lavde. Por këtë e bëjnë pa asnjë maturi a gjykim, me vullnet të papastruar. Dhe, kur dalin nga kisha, harrojnë menjëherë mësimet e shenjta e vazhdojnë udhën e tyre të zakonshme, pa ruajtur brenda vetes asgjë për dobinë e tyre të ardhme. Dhe, në qoftë se punët e të krishterëve rrjedhin paqësisht e s'i shqetëson asnjë sprovë, edhe atëherë mezi e ruajnë besimin, dhe atë, si të thuash, në një gjendje të trazuar e të lëkundur. Por, në qoftë se i mundon përndjekja dhe armiqtë e së vërtetës sulmojnë kishat e Shpëtimtarit, zemra e tyre nuk e do luftën, dhe mendja e tyre hedh mburojën e merr arratinë, pa zell e pa dashuri për Perëndinë, gati për të dezertuar. Por, o ju të frikësuar e të dobët, mund të thotë dikush me të drejtë, përse ikni prej asaj që do të ishte lavdia juaj dhe u shpëtoni betejave për të cilat jeni stërvitur? Sepse kështu ata që duan mund të fitojnë për vete trofeun e fitores. Luftoni edhe ju; thurni kurorën e burrërisë, etni për shpërblimet e këmbënguljes, për nderet e durimit.
Mendoj gjithashtu se me të drejtë mund të parashtroj këtë arsyetim: ata që shkëlqejnë mbi frone të larta e që sundojnë punët e kësaj bote, kur vallë e shohin ushtarin e patundur, dëshira e të cilit është ngulur te fitorja? A është atëherë kur buzëqesh paqja dhe heshtin armët? Apo më tepër atëherë kur ai niset trimërisht kundër atyre që radhiten për sulm? Siç e marr me mend, i vërtetë është rasti i dytë, e jo i pari. Prandaj, siç ka thënë profeti Jeremia: «Merrni armë e mburoja.» Aq më tepër që e djathta e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, është e pamposhtur në betejë, dhe, siç ka thënë Pavli fort i urti: «Ai nuk lejon që njerëzit të sprovohen më tepër se ç'mund të durojnë, por, bashkë me sprovën, do të bëjë edhe rrugëdaljen, që të mund ta durojnë me qëndresë.»
Por, edhe në qoftë se na bie për short të vuajmë duke luftuar në mbrojtje të përshpirtërisë ndaj Krishtit, atëherë krejtësisht e në çdo mënyrë jemi të denjë për zili, të lavdishëm dhe me shpresa të ndritura. Për më tepër, një vdekje e lavdëruar është pakrahasueshëm më e mirë se një jetë e turpshme. Sepse kështu u tha Shpëtimtari edhe apostujve të shenjtë: «Mos u trembni prej atyre që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; por trembuni më tepër prej Atij që mund të shkatërrojë në ferr edhe shpirtin edhe trupin.» A na urdhëroi, pra, t'i shpërfillim krejt këto rreziqe të skajshme, ndërsa Ai vetë qëndronte larg sprovave të tilla? Por ja, Ai dha jetën e Tij për ne dhe me gjakun e Tij bleu botën. Prandaj nuk jemi tanët, por të Atij që na bleu e na shpengoi, dhe të cilit i detyrojmë jetën tonë. Sepse, siç tha Pavli hyjnor: «Për këtë arsye Krishti vdiq dhe rroi, që të jetë Zot i të vdekurve dhe i të gjallëve.» Duhet, pra, të kemi një mendje të patundur, që sidomos kurdo që të vijë ngasja, të tregohemi të provuar e fitimtarë në fuqinë e durimit, të gatshëm të përballojmë me gëzim përleshjet e të rrëmbejmë rastin për të vuajtur për hir të përshpirtërisë ndaj Krishtit.
Pasi u shqyrtua e u shpjegua kaq shumë, le të vështrojmë tani ferrat, ndër të cilat mbytet fara hyjnore. Ç'thotë përsëri Shpëtimtari? «Ajo që ra ndër ferra janë ata që dëgjuan, por prej shqetësimeve, pasurisë e kënaqësive të botës ecin e mbyten dhe nuk japin fryt.» Sepse Shpëtimtari e hedh farën, e cila, pasi ka zënë vend të fortë në shpirtrat që e kanë pritur dhe, si të thuash, tashmë ka mbirë e sapo ka nisur të duket, mbytet nga shqetësimet e botës e thahet, mbuluar nga punët e kota; dhe, siç tha profeti Jeremia, «bëhet një grusht që s'mund të nxjerrë miell». Në këto gjëra, pra, duhet të jemi si bujq të zotë, të cilët, pasi kanë pastruar me këmbëngulje ferrat e kanë shkulur me rrënjë çdo gjë të dëmshme, hedhin pastaj farën në brazda të pastra; prandaj mund të thuhet me siguri se «pa dyshim do të vijnë me gëzim, duke sjellë duajt e tyre». Por, në qoftë se dikush e hedh farën e vet në një tokë pjellore me ferra e të begatë me driza, të mbuluar dendur me byk të padobishëm, pëson humbje të dyfishtë: humb farën e humb edhe mundin e tij. Pra, që fara hyjnore të lulëzojë mirë tek ne, le t'i nxjerrim më parë nga mendja shqetësimet e botës dhe ankthin e padobishëm që na shtyn të lakmojmë pasurinë, «sepse asgjë nuk sollëm në botë, as nuk mund të marrim gjë me vete». Sepse ç'dobi ka të zotërosh gjëra të tepërta? «Thesaret nuk i vlejnë të ligut», thotë Shkrimi, «por drejtësia të çliron nga vdekja.» Sepse, sapo vjen pasuria, menjëherë vërsulen e, si të thuash, na rrethojnë përnjëherë ligësitë më të ulëta: gostitë e shthurura, ëndjet e grykësisë e salcat e gatuara me kujdes; muzika, dehja e leqet e shfrenimit; kënaqësitë e epshet trupore, dhe krenaria e urryer prej Perëndisë. Por, siç ka thënë nxënësi i Shpëtimtarit: «Çdo gjë që është në botë është lakmia e mishit, lakmia e syve dhe kryelartësia e botës; edhe bota shkon, edhe lakmia e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.»
Kjo është fara e mirë e për t'u admiruar: toka e pasur dhe e frytshme, që jep fryt njëqindfish. Sepse njerëzit thonë se tokat më të mira, kur punohen, japin ndonjëherë njëqindfish; kështu që kjo është shenja e çdo vendi pjellor e të frytshëm. Dhe për një tokë të tillë është thënë me shumë të drejtë prej njërit nga profetët e shenjtë, me gojën e Perëndisë: «Edhe të gjitha kombet do t'ju lumërojnë, sepse jeni tokë e dëshirueshme.» Sepse, kur fjala hyjnore bie mbi një mendje të pastër e të zonjë ta pastrojë veten nga gjërat e dëmshme, atëherë ngul rrënjë thellë, mbin si kalli i grurit dhe, si të thuash, e fortë në fije e me lule të bukura, e çon frytin e vet gjer në pjekuri.
Por mendoj se mund të jetë e dobishme t'jua përmend këtë juve, që doni të mësoni atë që është e mirë. Sepse Mateu, kur na e tregon këtë krye, tha se toka e mirë dha fryt në tri shkallë. «Sepse njëra, thotë, dha njëqind, tjetra gjashtëdhjetë e tjetra tridhjetëfish.» Vër re, pra, se ashtu si Krishti përshkroi tri shkallë humbjeje, po ashtu edhe shkallët e arritjes janë të njëjta në numër. Sepse farat që bien mbi udhë i rrëmbejnë zogjtë; ato mbi shkëmbinj, pasi vetëm sa mbijnë, brenda pak kohe thahen; e ato ndër ferra mbyten. Por ajo tokë e dëshirueshme jep fryt në tri shkallë të veçanta, siç thashë: njëqind, gjashtëdhjetë e tridhjetëfish. Sepse, siç shkruan Pavli fort i urti: «Secili prej nesh e ka dhuntinë e vet prej Perëndisë, njëri në një mënyrë e tjetri në një tjetër.» Sepse aspak nuk e gjejmë që arritjet e shenjtorëve të jenë në masë të barabartë. Por ne na takon të synojmë me zell ato gjëra që janë më të mira e më të larta se ato të llojit më të ulët; sepse kështu Krishti do të na dhurojë begatisht lumturinë: nëpërmjet të cilit dhe me të cilin Perëndisë Atë i qoftë lavdi e pushtet, së bashku me Frymën e Shenjtë, në jetë të jetëve. Amin.
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1859 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it