Luka 8:26-36
«8:26-36. Pastaj arritën në krahinën e gerasenëve, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: ‹Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!›, sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. Atëherë Jezui e pyeti: ‹Si e ke emrin?›. Ai u përgjigj: ‹Legjion›, sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt. Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli.»
Profeti Avakum e parapa lavdinë e Shpëtimtarit dhe, i kapluar nga veprat e Tij të mrekullueshme, i ngriti Atij lavde, duke thënë: «O Zot, dëgjova kumtin tënd dhe u frikësova; vështrova veprat e tua dhe u mahnita.» Sepse për cilën nga veprat që bëri Krishti, Shpëtimtari ynë i përbashkët, mund të thotë ndokush se nuk është e denjë për t'u mrekulluar? Cila prej tyre nuk është e madhe, e lavdërueshme dhe dëshmi e pushtetit të Tij hyjnor? Edhe këtë mund ta shohim fare qartë në atë që na u lexua këtu nga Shkrimet ungjillore. Le ta sodisim, pra, tiraninë e armikut të tronditur nga Krishti dhe tokën e çliruar nga ligësia e demonëve; le t'i shohim kokat e gjarprit të shtypura prej Tij dhe tufën e zvarranikëve helmues të përzënë, të mposhtur e të tmerruar. Edhe ata që dikur ishin plot dinakëri e paturpësi, që i kishin nënshtruar sundimit të tyre gjithçka nën qiell, që krenoheshin me tempujt e tyre tejet të kushtueshëm dhe me altarët e gdhendur bukur, që nderoheshin me flijime dhe kurorëzoheshin me lavde nga të gjithë, tani bien nga lavdia e tyre e dikurshme dhe, sikur të mos u kishte mbetur sundim mbi asnjë njeri të vetëm, lypin një tufë derrash! Kjo është dëshmi krejt e qartë e mjerimit të papritur që u ra mbi ta dhe e shkatërrimit të tyre të plotë.
Por mjaft me kaq, sepse e vë re se në fjalimin tim kam bërë, si të thuash, një kërcim nga ajo me të cilën filluam dhe kam nxituar drejt pjesës së fundit të leximit. Eja, pra, ta kthejmë me fre te fillimi, ashtu siç kthehet një kalë i shpejtë e këmbëfortë. Sepse Shpëtimtari, bashkë me nxënësit e shenjtë, kishte zbritur në krahinën e gjerasenëve; edhe menjëherë i doli përpara një njeri, tek i cili banonin shumë frymë të ndyra. Ishte pa mendje e pa gjykim dhe nuk ndryshonte aspak nga ata që tashmë kanë vdekur e janë vënë në dhé; madje, ndoshta, ishte në një gjendje edhe më të mjerueshme. Sepse ata, të mbështjellë me kujdes në pëlhurat e varrit, vihen në dhé si dikush në gjirin e nënës; kurse ai, plot mjerim e lakuriq, endej nëpër varret e të vdekurve në një shkretim të skajshëm, duke bërë një jetë të turpshme e të pandershme. Edhe kështu ishte dëshmia e mizorisë së demonëve dhe prova e qartë e ndyrësisë së tyre. Për më tepër, kjo është një akuzë e një padi kundër tyre për urrejtjen ndaj njerëzimit; sepse ata nuk do të donin që asnjë njeri mbi tokë të ishte i kthjellët, por i duan njerëzit si të dehur e të çmendur, që të mos dinë asgjë të dobishme për veten, por të mbeten në padije edhe për Atë që është Krijuesi i gjithçkaje. Sepse cilindo që e pushtojnë dhe e vënë nën fuqinë e tyre, menjëherë e bëjnë shembull mjerimi të madh: e lënë pa asnjë bekim, pa asnjë kthjelltësi mendjeje dhe, për më tepër, e zhveshin krejtësisht edhe nga vetë arsyeja.
Por përse, thonë disa, i pushtojnë njerëzit? Atyre, pra, që duan t'u shpjegohet kjo, u përgjigjem se arsyeja e këtyre gjërave është fort e thellë; sepse diku Perëndisë i drejtohet një nga shenjtorët e Tij: «Gjykimet e tua janë një humnerë e pamatë.» Por sa kohë që e mbajmë këtë ndër mend, ndoshta s'do ta humbim shenjën. Perëndia i të gjithave, pra, me qëllim lejon që disa të bien nën fuqinë e tyre, jo aq shumë që të vuajnë ata, por më shumë që të mësojmë ne nga shembulli i tyre se si sillen demonët me ne, dhe kështu të shmangim dëshirën për t'iu nënshtruar atyre. Sepse nga vuajtja e njërit ndërtohen shumë veta.
Por gjeraseni, ose më mirë tufa e demonëve që rrinte fshehur brenda tij, ra përpara këmbëve të Krishtit dhe tha: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!» Vër re këtu, të lutem, përzierjen e frikës me guximin e madh e me mendjemadhësinë e tepruar, edhe sesi fjalët që ai detyrohet, si të thuash, të nxjerrë, shoqërohen me një kryelartësi të fryrë! Sepse është dëshmi e krenarisë së armikut që guxon të thotë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë?» Ti, pra, e di me siguri se Ai është Biri i Perëndisë së Tejlartë; prandaj pohon se Ai është edhe Perëndi, edhe Zot i qiellit e i dheut dhe i gjithçkaje që gjendet në to. Ti përvetësove atë që s'të përket, ose më saktë atë që është e Tija, dhe i vure vetes një lavdi që kurrsesi nuk të takon, sepse pretendoje të adhuroheshe. Si guxove, pra, të pohosh se Ai s'ka të bëjë fare me ty, kur pikërisht Atë ti, aq sa varej prej teje, u përpoqe ta dëboje nga nderi që i takon vetëm Atij? Të gjithë njerëzit mbi tokë janë të Atij; e ti, me ligësi, i prishe ata: i largove nga njohja e Atij që është vërtet Zoti e Krijuesi i gjithçkaje, i zhyte në llucën e mëkatit dhe i bëre adhuruesit e tu. E pastaj thua: «Çfarë ke me mua?» Cili mbret i kësaj bote do të duronte që ata nën skeptrin e tij të keqtrajtoheshin nga barbarët? Ose cili bari është aq i pandjeshëm e i shkujdesur, sa, kur egërsirat sulmojnë kopetë e tij, të mos e përfillë fatkeqësinë e as të mos përpiqet t'u vijë në ndihmë deleve? Pohoje, edhe pse pa dashje, se kush je dhe kujt i flet. Thuaj fjalë të tilla që të kanë hije, pikërisht si këto: «Të lutem, mos më mundo!» «Sepse», thotë, «Jezui e kishte urdhëruar shpirtin ... të dilte prej atij njeriu.»
Vër re, të lutem përsëri, madhështinë e pakrahasueshme të Atij që i tejkalon të gjitha, domethënë të Krishtit. Me fuqi të papërballueshme dhe me pushtet të pashoq, Ai e shtyp Satananë vetëm duke dashur që kështu të ndodhë. Nuk e lejon të guxojë t'u hedhë qoftë edhe një vështrim kundërshtimi urdhrave të Tij. Vullneti i Krishtit ishte zjarr e flakë për të, kështu që del e vërtetë ajo që tha i lumi Psalmist: «malet u shkrinë si dylli përpara fytyrës së Perëndisë.» Edhe diku tjetër: «Prek malet, edhe do të nxjerrin tym.» Sepse me malet Ai krahason ato fuqi të larta e mburravece të ligësisë, të cilat, megjithatë, si t'i prekte zjarri, shkrihen si dylli përpara fuqisë e sundimit të Shpëtimtarit tonë. Për më tepër, ato nxjerrin tym. Tymi është shenjë e zjarrit që gati po shpërthen në flakë, edhe pikërisht këtë u është caktuar të pësojnë frymët e ndyra.
Por Krishti e pyeti dhe e urdhëroi t'i thoshte se si e kishte emrin. Edhe ai tha: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. A pyeti, vallë, Krishti sepse nuk e dinte dhe, si ndonjë prej nesh, donte ta merrte vesh si diçka që i kishte shpëtuar? Po a s'do të ishte krejt pa vend që ne të themi a të mendojmë diçka të tillë? Sepse, si Perëndi që është, «i di të gjitha dhe heton zemrat e veshkat.» Ai pyeti, pra, për hir të planit të shpëtimit, që të mësojmë se një shumicë e madhe demonësh ndanin midis tyre shpirtin e vetëm të njeriut, duke shkaktuar tek ai një çmenduri të mjerë e të ndyrë. Sepse ai ishte vepër e tyre, edhe ata janë vërtet «të zgjuar për të bërë keq», siç thotë Shkrimi, «por për të bërë mirë s'kanë dituri.»1
Prandaj, siç tha Psalmisti: «le ta kremtojmë festën me lule.» Edhe: «Le të duartrokasin të gjithë popujt.» Sepse le të kujtojmë ç'natyrë kishin armiqtë tanë dhe cilët ishin ata princa të gjithçkaje nën qiell përpara ardhjes së Shpëtimtarit tonë: ishin të hidhur, të ndyrë, vrasës e plot me çdo shthurje. Por Krishti na çliron nga urrejtja e këtyre qenieve të dëmshme. Prandaj, me ngazëllim e gëzim, në hare të madhe, le të thërrasim: «Do t'i këpusim litarët e tyre dhe do ta flakim tej zgjedhën e tyre.» Sepse ne u çliruam, siç thashë, me fuqinë e Krishtit dhe u shpëtuam nga ato qenie të hidhura e të paudhëta, që dikur na sundonin.
Tufa, pra, e frymëve të ndyra kërkoi një tufë derrash, të denjë për të e të ngjashme me veten! Edhe Krishti me qëllim ua dha lejen, ndonëse e dinte mirë se ç'do të bënin. Edhe mund të përfytyroj dikë që thotë: përse ua plotësoi kërkesën? Atij i përgjigjemi se ua dha pushtetin, që kjo, si gjithë sjellja tjetër e Tij, të bëhej mjet dobie për ne dhe të na jepte shpresën e sigurisë. Por ndoshta do të thuash: si dhe në ç'mënyrë? Dëgjo, pra. Ata kërkojnë pushtet mbi derrat, kuptohet, si diçka që s'e zotërojnë. Sepse ç'dyshim mund të ketë se nuk do ta kishin kërkuar, po të kishin pasur fuqi ta merrnin pa pengesë? Por ata që s'kanë pushtet mbi gjëra kaq të parëndësishme e pa vlerë, si mund t'i bëjnë keq ndonjërit prej atyre që Krishti i ka vulosur dhe që shpresën e kanë vënë tek Ai? Ngushëlloje, pra, zemrën tënde; sepse ndoshta u trembe kur dëgjove se një turmë frymësh të liga banonte në një njeri të vetëm dhe e bënte të endej nëpër varret e të vdekurve, në turp e lakuriqësi, pa mendje e pa gjykim. Meqë edhe ti je njeri që i nënshtrohesh ngasjeve, u frikësove nga një mjerim kaq i hidhur e i padurueshëm, sikur Satanai të të sulmonte. Merr zemër, pra; mos mendo se mund të ndodhë diçka e tillë, ndërsa Krishti na rrethon me mbrojtje e me dashuri. Është e sigurt se ata s'kanë fuqi as mbi derrat. Aq i madh është kujdesi që Sunduesi i Gjithëfuqishëm i punëve tona denjon t'u dhurojë gjërave njerëzore. Sepse Ai u tha edhe apostujve të shenjtë: «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela.» Sepse, në qoftë se Ai mbron gjëra kaq të parëndësishme e pa vlerë, si nuk do të na quajë ne të denjë për çdo kujdes, ne për të cilët Ai që nga natyra është Perëndi u bë njeri dhe duroi fyerjet e hebrenjve? Le të largohet, pra, frika; sepse Perëndia ndihmon dhe rrethon me mburojën e mirëdashjes së Tij ata që duan të jetojnë për Të dhe që kërkojnë të bëjnë ato gjëra që i pëlqejnë Atij.
Edhe këtë mund ta mësojmë nga ajo që u ndodhi derrave: se demonët e ligj janë mizorë, të lig, të dëmshëm dhe tradhtarë ndaj atyre që i mbajnë nën pushtetin e tyre.
Këtë e provon qartë vetë ngjarja: që i hodhën derrat nga gremina dhe i mbytën në ujëra. Prandaj Krishti ua plotësoi kërkesën, që të mësonim nga ajo që ndodhi se natyra e tyre është e pamëshirshme e shtazarake, e paepshme, dhe e ngulur krejt për t'u bërë keq atyre që arrijnë t'i vënë nën pushtetin e tyre.
Prandaj, në qoftë se ndër ne ka ndonjë të shthurur, që si derr e do ndyrësirën dhe është i papastër, dhe që me dashje ndotet me neveritë e mëkatit, i tilli, me lejen e Perëndisë, bie nën pushtetin e tyre dhe fundoset në humnerën e humbjes. Por atyre që e duan Krishtin kurrë s'mund t'u ndodhë t'u nënshtrohen atyre, as neve, sa kohë që ecim në gjurmët e Tij dhe, pa u treguar të shkujdesur në kryerjen e së drejtës, dëshirojmë ato gjëra që janë të nderuara e që i përkasin asaj sjelljeje të virtytshme e të lavdërueshme, që Krishti na e ka caktuar me urdhërimet e Ungjillit. Në Të dhe bashkë me Të i qoftë Perëndisë Atë lavdi e pushtet, bashkë me Shpirtin e Shenjtë, në jetë të jetëve. Amin.
Shënime
1. Si rregull i përgjithshëm, siriakishtja është një përkthim shumë i saktë i greqishtes, duke gjykuar nga fragmentet te Mai; këtu, megjithatë, fjala κατενείματο , të cilën ai e përkthen «ndau» ose «shpërndau», ka ndoshta vetëm kuptimin «zotëronte», ku domethënia e vërtetë është «të kullosësh tokën me bagëti», «depasci».
Shqip: përkthim nga anglishtja i tekstit të vitit 1859 (zotërim publik) · regjistri kishtar sipas KOASh-it