Në qoftë se, pra, duke u «larë», siç thotë profeti, në atë banjë mistike, bëhemi «të pastër» në vullnetin tonë dhe «heqim të keqen» e shpirtit tonë, atëherë bëhemi njerëz më të mirë dhe ndryshojmë drejt një gjendjeje më të mirë.
Por, në qoftë se, kur banja i është dhënë trupit, shpirti nuk është pastruar nga njollat e pasioneve e të prirjeve të tij, dhe jeta pas hyrjes në mistere mbetet në po atë nivel me jetën e atyre që s'kanë hyrë në to, atëherë, ndonëse mund të jetë e guximshme ta them, prapëseprapë do ta them e nuk do të tërhiqem: në raste të tilla uji nuk është veçse ujë, sepse dhurata e Shpirtit të Shenjtë nuk shfaqet aspak tek ai që lind kështu me anë të pagëzimit. Domethënë, sa herë që jo vetëm shëmtia e zemërimit, a pasioni i lakmisë, a mendimi i shfrenuar dhe i pahijshëm, bashkë me krenarinë, smirën dhe kryelartësinë, e shformon ikonën hyjnore, por edhe fitimet e padrejtësisë mbeten me të, dhe gruaja që e ka bërë të vetën me kurorëshkelje vazhdon t'i shërbejë kënaqësive të tij edhe pas kësaj. Në qoftë se këto vese e të ngjashme e rrethojnë jetën e të pagëzuarit po aq pas pagëzimit sa edhe përpara, nuk arrij të shoh se në ç'drejtim ka ndryshuar, sepse e shoh po atë njeri që ishte më parë.