Kështu, që ky yll nuk ishte nga lloji i zakonshëm, ose më mirë nuk ishte fare yll, siç më duket të paktën mua, por ndonjë fuqi e padukshme e shndërruar në këtë pamje, del në radhë të parë nga vetë udha e tij. Sepse nuk ka, nuk ka asnjë yll që lëviz në këtë mënyrë, por, qoftë dielli që përmend, qoftë hëna, qoftë tërë yjet e tjera, i shohim që shkojnë nga lindja në perëndim; kurse ky lundronte nga veriu në jug; sepse kështu ndodhet Palestina përkundrejt Persisë.
Së dyti, kjo mund të shihet edhe nga koha. Sepse ai nuk shfaqet natën, por në mesditë, ndërsa dielli po ndrit; e kjo s'është në fuqinë e një ylli, madje as të hënës; sepse hëna, që i kalon aq shumë të gjithë, sapo shfaqen rrezet e diellit, menjëherë fshihet dhe zhduket. Kurse ky, me tepricën e shkëlqimit të vet, mundi edhe rrezet e diellit, u duk më i ndritshëm se ato dhe, mes gjithë asaj drite, shkëlqeu edhe më madhërishëm.